Futbolli shqiptar e ul siparin për vitin 2012, ndërsa merr pushimet dimërore. Ndeshjet e së mërkurës ishin si të thuash “e treta e vërteta” për skuadrat që vijojnë betejën e tyre në Kupën e Shqipërisë. Raundi çerekfinal luajti ndeshjet e treta, teksa Bylisi e Skënderbeu kanë bërë hapin e madh, atë të kualifikimit, duke qenë të vetmet me 9 pikë të plota deri më tani, ndërsa Teuta dhe Shkumbini i “lajnë duart” me këtë garë, që në këtë moment.
Pasi i kishin fituar dy çerekfinalet e para, korçarët dhe ballshiotët, kryesues të grupeve të tyre respektive, gjendeshin përballë rivalësh me “kredenciale” të ndryshme, por konkludimi ka qenë i njëjtë. Fitore e kuqebardhëve në Krujë, në transfertë, dhe goleadë e mallakastriotëve ndaj “djemve të detit”.
Konfirmon kthesën nën drejtimin e trajnerit Ernest Gjoka skuadra e Flamurtarit, duke superuar e parakaluar kurbinasit e Nicës, e pozicionuar e dyta në grupin e saj tashmë, në ndjekje të ballshiotëve. Vuan shumë Kukësi i Cungut në shtëpi, ku mezi siguron një fitore “in extremis”, fillimisht nga pika e bardhë e penalltisë e pastaj nga një aksion i minutave vijuese, ndaj peqinasve pa asnjë pretendim në këtë kompeticion.
6 pikët në llogarinë e verilindorëve, debutues në Superiore, u mundësojnë atyre vendin e dytë në Grupin A, duke parakaluar kësisoji krutanët.
Ecuria e takimit Bylis-Teuta
Mallakastriotët shkatërruan në fushën e tyre Teutën e Durrësit me rezultatin e thellë 5-0. Kjo e fundit ishte thuajse e skualifikuar, sepse e shihte veten në kuotën e zero pikëve, e mundur edhe në të dyja sfidat pararendëse. Bylisi e nis vrullshëm, aq sa nuk i la kohë skuadrës kundërshtare të vendosej sipas qasjes taktike të trajnerit Begeja në fushën e blertë.
Brenda 7 minutave të para, ballshiotët e Shensojit kanë shënuar plot tri herë, duke vendosur një rekord më vete në këtë drejtim, por edhe shuar pa u ndezur fare atë pak dritë, që mund të kishte ngelur në “tunelin” ku e ka futur veten Teuta në këtë raund të Kupës së Shqipërisë.
Fillimisht ka zhbllokuar shifrat Izucuku, nga pika e bardhë e penalltisë, pas faullit të mbrojtjes durrsake ndaj Bakiut. Më pas i vjen radha vetë sulmuesit shtatshkurtër që t’i dyfishojë shifrat, në minutën e 5-të, ndërkohë që pa kaluar 120 sekonda, del në skenë sërish nigeriani Izucuku, që kompleton tripletën e të tijve në kaq pak minuta lojë, vetëm 7 të tilla.
Minutat e mëpastajme janë disi të qeta, sa u takon rasteve në portat respektive, me vendësit që administrojnë me qetësi epërsinë dhe miqtë të goditur rëndë psikologjikisht. Sidoqoftë, pjesa e parë do të sillte edhe golin e katërt për mallakastriotët, me autor Bakiun, që kompleton dopietën e tij personale në këtë fraksion loje, në minutën e 41-të.
Poker i skuadrës së Shensojit në gjysmën e ndeshjes, dicka e paparashikueshme edhe për optimistin më të thekur, por një realitet i futbollit shqiptar… Pjesa e dytë, në të tilla “valenca”, kuptohet se mbetej për t’u luajtur sa për formalitet, pasi rrjedha e këtij ballafaqimi nuk mund të ndryshonte.
Fieraku Meto lë shenjën e tij në fund të lojës, sa për t’i dhënë ngjyra “manite” suksesit të të tijve. Bylisi merr tri pikët e radhës, Shensoji siguron fitoren e pestë radhazi në këtë rikthim në Ballsh, ndërsa kolegu i tij, Begeja, duket se “vulos” fatin e vet në stolin durrsak. Ashtu si Teuta, në këtë raund të Kupës së Shqipërisë.
Çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë
Ndeshjet e treta
19.12.2012
Grupi A
KASTRIOTI-SKENDERBEU 1-2
Golat: Caca 87′ (pen) / Pejic 16′, Plaku 43′
Gjyqtarë: L.Alla, G.Koka, D.KorreshiKUKESI-SHKUMBINI 2-0
Golat: Allmuca 83′ (pen), Malo 85′
Gjyqtarë: B.Ziri, M.Dervishi, E.VeseliGrupi B
BYLIS-TEUTA 5-0
Golat: Izucuku 4′ (pen), 7′, Bakiu 5′, 41′, Meto 89′
Gjyqtarë: O.Sokoli. E.Barushi, E.DodaFLAMURTARI-LAÇI 2-1
Golat: Zeqiri 39′, Muzaka 44′ / Vucaj 67′
Gjyqtarë: E.Peza, E.Bicaku, D.Agaraj