TIRANË-Kryeministri Sali Berisha njoftoi sot se qeveria do shpërblejë për festat e fundvitit kategorinë e pensionistëve. Në mbledhjen e sotme të qeverisë, Berisha tha se pensionistët do të marrin shpërblim 20 mijë lekë të vjetra. 

“560 mijë pensionistë në vend do të marrin nga 20 mijë lek shpërblim. Siguroj pensionistët se asgjë nuk mund të lëkundë vendosmërinë tonë për mbështetjen e tyre”. 

Kryeministri pohoi se 560 mijë pensionistët meritojnë më tepër. 

“Shpreh mirënjohjen më të madhe nga qeveria, respekt, vlerësim për kontributin e tyre në ndërtimin e kësaj Shqipërie që sot është krejtësisht tjetër falë lumenjve të djersës së tyre dhe denoncoj publikisht mediat e kontrolluara nga opozita që dezinformuan në mënyrë të pandershme pensionistët, përgjysmuan dhe përdorën për qëllimi dezinformuese deklaratat e ministrit të Financave dhe krijuan një shqetësim të pabazë tek kjo kategori”- tha Berisha. 

“Në fillim të 2006, pensioni mesatar në fshat ishte 34 dollarë,sot është rritur me 110% dhe cdo vit opozita ka kërkuar të mos rriten pensionet, ka votuar kundër”- tha ai. 

Berisha ka ftuar opozitën të kërkojë ndjesë së pari për mosvotimin e kësaj rritjeje që parashikonte buxheti 2013. 

“Dëshmi e një lloj shpirtkazmërie që vjen kryekëput nga interesi i ngushtë. Janë shumë të interesuar për votat dolën dhe votojnë kundër rritjes së pensioneve dhe rrogave. Le të merren ata me çmimin e groshit, sigurisht që rritet, por qeveria rrit rrogat e pensionet minimumi dy herë me shumë se inflacioni. Kam mirëkuptim për thirrjet e FMN dhe BB, se qëllimin e kanë të mirë. Nuk mund të preket rritja e rrogave dhe pensioneve, plus që kemi zotim elektoral, që ne sa kohë të na votoni do rrisim rrogat dhe pensionet. Jemi të hapur se ne këtë nuk e kemi bërë vetëm në vitet elektorale, po është bërë cdo vit që nga 2006, në të gjitha buxhetet e miratuara është parashikuar e do të parashikohet rritja e rrogave e pensioneve. Ftoj opozitën që nuk votoi për këtë rritje, që nuk kërkoi shpërblimin në fund vit të kërkojë ndjesë publikisht, të mësojë se dhe ndjesa është dhuntia e njeriut të qytetëruar, të gabosh njerëzore është thoshte latinisht, vetëm në doktrinën e etërve ata nuk gabonin kurrë”- tha Berisha. 

Sipas tij, sot vendoset shpërblimi i punonjësve të administratës me shumën e përcaktuar nga Financat.