DURRES– Reshjet e shiut të rëna gjatë 24 orëve të fundit kanë bërë që 3 banesa në komunën Gjepalaj të Durrësit  të shemben si pasojë e rrëshqitjes së dheut, por fatmirësisht nuk ka pasur dëme në njerëz.

Situata e krijuar ka qenë mjaft problematike dhe kryetari i komunës Gjepalaj Ardian Kokomani i ka kërkuar prefekturës që të mendojë për sistemimin e këtyre familjeve që kanë mbetur tashmë në mes të katër rrugëve. Sot ata janë strehuar tek bashkëfshatarët e tyre, por nuk dihet se çfarë zgjidhje do të ofrohet për strehimin e tyre në ditët në vazhdim.

Situata në orët e pasdites është përkeqësuar edhe në Shijak, ku mësohet se nga reshjet e rëna lumi Erzen ka dalë nga shtrati duke rrezikuar jetën e banorëve në zonat përreth saj. 

Prefekti Genci Alizoti ka bërë të ditur se 4 familje si pasojë e rrezikut që i kanosej janë larguar nga banesat e tyre dhe janë sistemuar në ambientet e Kavaleshencës në zonën e Plepave në Durrës. Ndërkohë Shtabi i Emergjencës e ka zhvilluar mbledhjen sot në Shijak, aty ku situata është më emergjente, pasi në rast se reshjet e dendura do të vazhdojnë, të tjera familje mund të rrezikohen nga dalja e lumit Erzen nga shtrati.

Si pasojë e reshjeve të dendura ka pasur problematika të veçuara, por fatmirësisht janë shënuar vetëm dëme materiale sidomos në zonat rurale të prefekturës së Durrësit. 

Ndërkohë në disa lagje në Durrës situata paraqitet problematike, si pasojë e mosfunksionimit të kanaleve kulluese, të cilat po përmbysin rrugët e qytetit. Situata paraqitet më problematike në lagjet 9, 14, 17 dhe 18.

Shtabi i Emergjencës i ngritur pranë prefekturës Durrës është duke monitoruar situatën minutë pas minute për të evituar të tjera situata të rënda.

Po sot, si pasojë e reshjeve dhe hapjes së portave të rezervuarit të Manskurisë u përmbytën dhjetëra familje në komunën e Golemit, në Kavajë. Niveli i ujit në shtëpitë e përmbytura arriti deri në 1 metër lartësi, duke shkaktuar dëme të shumta tek familjet e prekura.

KRUJË 

Dalja nga shtrati i Lumit Ishëm gjatë orëve të mbrëmjes ka rritur rrezikun e banesave në këtë zonë. Mësohet se si pasojë e daljes nga shtrati i lumit Ishëm rrezikohen fshatrat Mazhë, Mallkuc, Mushin, ndërkohë që ka përmbytur disa toka të mbjella.