DURRES – Teuta do të prezantohet me një tjetër fytyrë në muajin janar, pasi pritet të bëhen ndryshime rrënjësore në klub. Lajmi është konfirmuar dje për “Panorama Sport” nga vetë presidenti Edmond Hasanbelliu. Kreu i klubit durrsak është i pakënaqur nga ecuria e skuadrës në Kupën e Shqipërisë, teksa tashmë rrezikohet seriozisht eliminimi nga faza e grupeve pas dy humbjeve radhazi. Në prononcimin për gazetën, Hasanbelliu theksoi se ndryshimet do të fillojnë shumë shpejt, teksa do të prekin stafin dhe ekipin në tërësi. Megjithatë, presidenti i Teutës nuk pranoi të jepte detaje për emra konkretë, si për sa i përket pankinës, por gjithashtu afrimeve e largimeve që mund të ndodhin gjatë janarit.
Konfirmimi – “Nuk jam i kënaqur nga ecuria e deritanishme e skuadrës në Kupën e Shqipërisë. Në këto kushte, kam menduar që gjatë merkatos së janarit të bëjmë disa ndryshime, si në ekip, gjithashtu edhe në stafin teknik. Ajo çka dua të them, është që do të ketë ndryshime rrënjësore, por që deri më tani nuk kemi emra konkretë. T’ju them të drejtën nuk prisja që skuadra të paraqitej kaq dobët në dy ndeshjet e fazës në grupe, ku fillimisht humbi në Laç, ndërsa më pas edhe në Durrës ndaj Flamurtarit. Pas dy humbjeve radhazi, tashmë skuadra e ka shumë të vështirë për ta kaluar grupin. Megjithatë, mbeten edhe 4 ndeshje, kështu që do të përpiqemi deri në fund”,- u shpreh fillimisht presidenti durrsak.
Problemet – Ndonëse “djemtë e detit” kanë në përbërje të tyre lojtarë cilësorë dhe me shumë eksperiencë, niveli i lojës këtë sezon ka qenë i dobët. Këtë Hasanbelliu e ka vënë gjithnjë në dukje, ndërsa kërkon një skuadër më agresive dhe më të qartë në lojë. “Deri më tani skuadra nuk ka bindur me lojë, kështu që ndryshimet i shikoj më se të nevojshme. Fazën e parë të kampionatit e kemi mbyllur në vendin e dytë, por megjithatë, edhe pse kemi arritur rezultate pozitive, sërish ekipi nuk ka bindur me paraqitjen që ka bërë. Për të arritur objektivin, na duhet të formojmë një skuadër ndryshe, e cila ta përballojë me sukses të gjithë pjesën e mbetur të kampionatit. Aktualisht do të punojmë për të ndërtuar një ekip, prej të cilit presim ecuri pozitive. Synimi ynë është që të luftojmë deri në fund në kupë, por në të njëjtën kohë do të përpiqemi të mbajmë vendin e dytë në kampionat, duke siguruar në këtë mënyrë edhe pjesëmarrjen në Ligën e Europës”, – përfundoi numri një i klubit. Tashmë në kampin durrsak janë në ankth, teksa presin se cilat do të jenë masat konkrete që do të merren nga Hasanbelliu. Për sa i përket merkatos, deri më tani më shumë është përfolur një rikthim i mbrojtësit Tefik Osmani.
Dosti dhe Xhafaj, mungesa të sigurta
Mesfushori Albi Dosti dhe sulmuesi Daniel Xhafaj janë dy mungesa të sigurta për Teutën në ndeshjen e nesërme ndaj Bylisit. I pari u dëmtua në takimin e fundit kundër Flamurtarit, ndërkohë që “veterani” vlonjat vuan ndëshkimin e Komisionit të Disiplinës. Deri më tani Xhafaj ka shlyer vetëm një ndeshje dhe i duhen tri të tjera për të qenë gati, pasi është pezulluar me 4 takime. Ndërkaq, nga sa mësohet, nuk ka asnjë problem për mbrojtësin Arian Sheta, i cili gjithashtu doli i dëmtuar nga takimi me vlonjatët. Shtatlarti tiranas do të jetë i gatshëm për ndeshjen e fundit për këtë vit. Durrsakët do të udhëtojnë drejt Ballshit me synimin për të arritur fitoren pas dy humbjeve radhazi.