TIRANE – Enti Rregullator i Energjisë ka kërkuar nga përmbaruesit të bllokojnë llogaritë bankare të CEZ. Kompania çeke i detyrohet ERE-s shumën prej 430 milionë lekë, si pasojë e gjobës që Enti Rregullator i vuri kompanisë së energjisë për mosrealizim importi dhe ndërprerje kolektive të energjisë.

Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila i dha të drejtë ERE, pritet që përmbaruesit të vënë në zbatim kërkesën. Zyra e përmbarimit ka nisur bllokimin e llogarive bankare të CEZ, në mënyrë që të vilet gjoba.

Por pas kërkesës së ERE ka reaguar kompania çeke. CEZ, përmes përfaqësuesve të saj ka deklaruar se asnjë ndërprerje e energjisë nuk ka qenë e qëllimshme, por kanë ardhur si pasojë e ndërhyrjeve të paligjshme në rrjet dhe për shkak të motit të keq.

“Vonesat në zëvendësimin e pajisjeve të djegura kanë ndodhur për shkak të gjendjes së vështirë financiare të kompanisë. Aktualisht ERE ka bllokuar 430 mln lekë të reja në llogaritë e kompanisë”,- thuhet në deklaratën e CEZ.