Departamenti Amerikan i Shtetit, DASH përmes një reagimi ka njoftuar ratiifkimin e marrëveshjes së huasë prej 302 milionë dollarësh ndaj Shqipërisë për investimet në mbrojtje.
Në njoftimin zyrtar, DASH thekson se kjo marrëveshje do të mbështesë Shqipërinë për përmbushjen e shpenzimit të 5% të PBB për mbrojtjen deri në 2035. Ndër të tjera, DASH shton se kjo hua do të ndihmojë në modernizimin e forcave të armatosura të Shqipërisë.
“Sot, Shtetet e Bashkuara janë krenare të njoftojnë ratifikimin dhe nënshkrimin nga Shqipëria të një kredie të re prej 302 milionë dollarësh për Financimin e Huaj Ushtarak (FMF), e cila do të mbështesë progresin e Shqipërisë drejt përmbushjes së Angazhimit të Mbrojtjes të Hagës për të shpenzuar 5 përqind të PBB-së për mbrojtje deri në vitin 2035.
Kredia e FMF-së do të ndihmojë në modernizimin e forcave të armatosura të Shqipërisë duke mbështetur prokurimin e kapaciteteve kryesore me origjinë nga SHBA-ja dhe duke forcuar aftësinë e Evropës për të udhëhequr mbrojtjen e vet.
Si një aleate e NATO-s, Shqipëria është lidhur ngushtë me Shtetet e Bashkuara në çështje kritike të politikës së jashtme, duke përfshirë edhe rolin e anëtares themeluese të Bordit të Paqes të Presidentit Trump”, thuhet në njoftimin e DASH.
Lidhur me këtë njoftim ka reaguar edhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi i cili përmes një postimi në “Facebook” shkruan se ky është një hap historik në modernizimin e mbrojtjes shqiptare dhe se është një votë besimi strategjike e SHBA-së ndaj Shqipërisë.
“Departamenti i Shtetit njofton zyrtarisht ratifikimin e Marrëveshjes së Huasë prej 302 milionë dollarë në Kuadër të Programit Foreign Military Financing (FMF).
Votë besimi strategjike e SHBA-së ndaj Shqipërisë dhe një hap historik në modernizimin e mbrojtjes shqiptare. Mirënjohje Shteteve të Bashkuara të Amerikës për partneritetin e palëkundur strategjik dhe mbështetjen e vazhdueshme në ndërtimin e një mbrojtjeje më të fortë për Shqipërinë, rajonin e më gjerë.
Kjo mbështetje do të përshpejtojë modernizimin e kapaciteteve tona ushtarake, do të rrisë gatishmërinë operacionale dhe do të forcojë kontributin e Shqipërisë për sigurinë kolektive të Aleancës”, shkruan Nufi.





