DURRËS – Prefekti Genc Alizoti, ka zhvilluar sot një takim me krerë të njësive vendore për të diskutuar lidhur me përgatitjet e listave të zgjedhësve në prefekturën e Durrësit. Afrimi i zgjedhjeve të përgjithshme, të cilat do të mbahen në datë 23 qershor të vitit të ardhshëm, kërkon angazhimin e të gjitha strukturave vendore për të plotësuar dokumentacionin përkatës për mbarëvajtjen e këtij procesi.

Gjatë takimit, prefekti Alizoti ka kërkuar nga drejtuesit e njësive vendore që të nisin punën për pastrimin e dublimeve nga listat zgjedhore si dhe impenjim maksimal për kryerjen brenda afateve ligjore të këtij procesi.

“Zyrat e gjendjeve civile të japin informacionin e kërkuar nga OSBE-ODHIR. Duhet angazhim maksimal për publikimin brenda datës 3 janar të listave të zgjedhësve. Duhet të hartohet lista e vendeve, ku do të publikohen listat e zgjedhësve dhe njëkohësisht duhet të sensibilizohen qytetarët që të verifikojnë emrin e tyre në listë. Kur mungon emri të bëhet regjistrimi i tyre pa humbur kohë”,- tha prefekti Alizoti.

Në të njëjtën kohë Alizoti kërkoi nga krerët e njësive vendore të qarkut Durrës që të bëhet kujdes me listat si dhe të verifikohen personat e moshuar, sepse mund të ketë raste kur ata janë ndarë nga jeta, por nuk është bërë çrregjistrimi i tyre nga listat.