DURRES – Paraditen e sotme, në rrugën “Egnatia”, pranë kryqëzimit të Blu Star, është aksidentuar një këmbësor. 70 vjeçari Halil Hoxha është përplasur nga një automjet me targa DR 6515 C, që drejtohej nga shtetasi Elion Helmani, 19 vjeç.

Menjëherë pas aksidentit i moshuari është dërguar në spital dhe sipas mjekëve gjendja e tij shëndetësore është e rëndë, pasi ka pësuar goditje të fortë në kokë..

Sipas policisë, Hoxha, banues në lagjen nr. 14 të Durrësit, i ka prerë rrugën automjetit të drejtuar nga i riu Elion Helmani. Efektivët e rendit kanë ndaluar 19 vjeçarin Helmani, pasi pas aksidentit ai është larguar menjëherë nga vendngjarja. 

Ky është aksidenti i dytë në Durrës në harkun kohor të 5 ditëve, ku viktima mbeten këmbësorët. Mbrëmjen e 12 dhjetorit, poeti dhe përkthyesi i njohur Perikli Jorgoni humbi jetën, ndërsa u përplas nga një automjet në afërsi të mbikalimit të Fllakës.