MEKSIKË – Spekulimet e çmendura që rrethojnë datën 21 dhjetor 2012 kanë ndikuar në rritjen e interesit për qytetërimin maja. Në një pjesë të madhe të botës, po i kushtohet shumë vëmendje të ashtuquajturit “apokalipsi maja", sipas të cilit në 21 dhjetor mbaron cikli 5125-vjeçar i kalendarit të tyre.
Në Meksikë, seminare të posaçme janë zhvilluar nga Ministria e Kulturës për të shpjeguar kulturën e popullit maja dhe për të sqaruar keqkuptimet që lidhen me datën 21 dhjetor 2012. Saul Martin Ancona Salazar, Shefi i Departamentit të Turizmit të Jukutanit, Meksikë, u shpreh: "Data 21 dhjetor 2012 nuk është fundi i botës. Ky është thjesht fundi i një cikli në kalendarin maja dhe me mbarimin e tij, një cikël i ri do të fillojë". Salzar shtoi se do të zhvillohen një sërë aktivitetesh për t’i dhënë një shpjegim shkencor dhe të detajuar kulturës së popullit maja.
Deri në fund të vitit, në Meksikë do të hapen dy muzeume për qytetërimin maja. Për më tepër, në Jukutan do të themelohet universiteti i parë për studimin e qytetërimit maja, pranë vendndodhjes se dy qyteteve të lashta maja, Tulum dhe Koba.
Sa më shumë i afrohemi datës “fatale”, aq më shumë turistë po vizitojnë rrënojat maja. Sipas Ministrisë së Turizmit të Meksikës, aktivitetet që lidhen me qytetërimin maja priten të tërheqin rreth 52 milionë turistë.