Zhdukja misterioze e Julian Çelës, djalit 10-vjeçar të nëndrejtorit të antiterrorit në SHISH, hyn sot në ditën e 17. Familjarët kanë zgjeruar hartën e kërkimeve, dhe pas Tiranës, kontrollojnë në rrethet e Fierit dhe Elbasanit, pas informacioneve të mbërritura në numrat e kontaktit. Një çift nga Patosi telefonoi familjen dhe i tha se e kishin parë Julianin në një furgon, ndërsa disa persona nga Elbasani e kishin parë 10-vjeçarin në Cërrik, te të afërmit e babait. Megjithatë, pas kontrolleve dhe kontakteve me këta persona, familjarët nuk kanë mësuar asnjë detaj të ri, ku Juliani vazhdon të jetë “i zhdukur”.

Telefonata nga Fieri

Një çift nga Patosi, telefonoi te familja Çela dhe informacionet paraprake ishin shumë shpresëdhënëse. Ata pohonin se e kishin parë Julianin në një furgon, madje ishin të bindur se ishte 10-vjeçari, nisur edhe nga fotografia që ka shpërndarë familja e tij në të gjithë vendin, por edhe nga televizionet dhe gazetat. “Personi që kemi parë i ngjason shumë Julianit. Ai kishte veshur një xhup me kapuç dhe udhëtonte i vetëm, megjithëse në moshë të vogël. Nuk shoqërohej nga njeri. E kemi parë në afërsi të Fierit”, deklaronte çifti nga Patosi për familjarët. Menjëherë, në drejtim të këtij vendi, janë nisur të afërmit, por edhe është lajmëruar policia. Nga kontaktet me këta persona, por edhe nga pyetje e personave të tjerë, nuk u arrit të merrej ndonjë informacion me vlerë, përveçse se fëmija që ishte parë i ngjasonte shumë Julianit. Sërish, të zhgënjyer, familjarët janë kthyer në Tiranë, në pritje të informacioneve të tjera.

Informacionet nga Elbasani

Një tjetër telefonatë ka mbërritur në familjen Çela, kësaj here flitej se Juliani ishte parë në rrethinat e Elbasanit. Babai i 10-vjeçarit, Skënderi, ka origjinën nga Cërriku, ndërsa ka shumë të afërt në këtë zonë. “E kemi parë në periferi të Elbasanit, ndoshta shkonte në Cërrik, nuk jemi shumë të sigurt. Megjithatë, fëmija ngjasonte shumë me Julianin”, ishte informacioni nga Elbasani. Sërish, pa përtesë, familjarët janë nisur drejt Elbasanit, dhe kanë verifikuar informacionin. Pasi kanë marrë kontakt me telefonuesin, ata kanë mësuar se nuk ishte Juliani. Duke e falënderuar, familjarët janë kthyer në Tiranë.

Te “pallati me shigjeta”

Dje, në familjen e Çela, mbërriti informacioni se Juliani është parë sërish te zona e “pallatit me shigjeta”. Babai, nëna, dy motrat dhe vëllai, u nisën drejt vendit që pretendonte telefonuesi. Me makinën e familjes, ata shkuan te zona në fjalë dhe filluan kërkimet. Të afërmit e tyre pohuan se kishte informacione se 10-vjeçari është parë në shoqërinë e disa bashkëmoshatarëve të tjerë. “Familjarët u nisën rreth orës 10:00 të së shtunës dhe u kthyen në mesditë. Nga kontaktet që morëm, na thanë se dikush pretendonte se e kishte parë Julianin në këtë zonë. Ata kërkuan në një perimetër të madh, por pa mundur të gjejnë pjesëtarin më të vogël të familjes”, pohojnë të afërmit, të cilët tregojnë se nga kërkimet e vazhdueshme, makina i la në mes të rrugës dhe është dashur bashkëpunimi i të afërmve të tjerë për t’i çuar në shtëpi.

I gjithë fisi në kërkim

Njerëzit më të afërt të Skënder dhe Luze Çelës kanë mbërritur në Tiranë, për të kërkuar Julianin, i zhdukur që pasditen e 30 nëntorit. Mësohet se në kryeqytet kanë mbërritur njerëzit e afërt të Skënderit, të cilët jetojnë në Cërrik dhe Gramsh, si dhe njerëzit më të afërt të bashkëshortes së tij, që janë vënë të gjithë në kërkim të 10-vjeçarit. Ata nuk kanë reshtur kurrë së shpresuari për gjetjen e ndonjë prove, megjithëse nga verifikimet paraprake Juliani nuk është gjetur. “Është verifikuar çdo informacion i mbërritur në familje, sado i pakët që është”, pohojnë të afërmit, që kërkojnë mbështetjen e të gjithë personave për gjetjen e të miturit.

“Ju lutemi, gjithkujt që sheh ndonjë vogëlush, që i ngjason jashtë mase Julianit, ta fotografojë. Më pas të na lajmërojë ne, ose policinë” pohojnë të afërmit, që thonë se do të vijojnë kërkimet në të gjithë vendin. Sipas tyre, informatori i saktë do të ketë një shpërblim në lekë. s.ç

Kontaktet me policinë

Kemi bashkëpunuar me policinë dhe na kanë thënë se e kanë çështje në zhvillim e sipër, po hetojnë për të gjitha pistat

Shenjat dalluese

Familja kërkon nga cilindo që pretendon se e ka parë Julianin të telefonojë ose të fotografojë fëmijën, me qëllim që të ketë prova

E pamë këtu dhe atje

Telefonuesit në familjen Çela janë të shumtë, madje pretendojnë se e kanë parë Julianin në disa vende, por pa asnjë provë

Shpërblimi në lekë

Për informatorin që do të ndihmojë familjen në gjetjen e Julianit, është vënë edhe një shpërblim i majmë në lekë

Babai i Julianit denoncoi ngjarjen në polici dhe prokurori

 

Policia: Hetojmë të gjitha pistat, dyshojmë për largim me dëshirë

 

Hetimet e Policisë së Tiranës për zhdukjen e 10-vjeçarit Julian Çela, pasditen e 30 nëntorit në zonën e Laprakës në Tiranë, po përqendrohen tashmë te puna e të atit në SHISH. Verifikimet për largim me dëshirë nga banesa, nuk kanë sjellë asnjë gjurmë të të miturit, madje edhe dëshmitarë konkretë. Grupi hetimor thotë se do të verifikojë të gjitha pistat, ku nuk përjashtohet as puna e të atit, si nëndrejtor i antiterrorit në SHISH.

“Po verifikojmë çdo informacion për zhdukjen e 10-vjeçarit. Ende nuk kemi një pistë konkrete, apo edhe klasifikim të kësaj çështjeje. Dyshimet se mund të ishte larguar me dëshirë dhe me disa shokë të tij, që janë kontingjent kriminal, qëndrojnë, por nuk ka prova. Nisur nga kjo situatë, ne do të marrim informacione edhe për punën e babait të të zhdukurit, veprimtarinë e tij kohët e fundit”, thanë burimet policore për gazetën “Shqip”, të cilat vijojnë se do të riverifikojnë çdo informacion, ndërsa u kërkojnë edhe qytetarëve të thjeshtë bashkëpunim.

Sot Juliani ka 17 ditë i zhdukur, ndërsa familja vijon kontrollet në Tiranë, duke ua lënë çështjen në dorë organeve kompetente. Qëllimi dhe kërkesa e tyre kryesore, në të gjitha momentet, ka qenë vetëm gjetja e Julit. Duke qenë se babai i 10-vjeçarit është punonjës i SHISH-it dhe e njeh mjaft mirë vjeljen e informacioneve, familja ka vepruar në mënyrë të kujdesshme, ndërsa deklaratat në media kanë qenë vetëm për shpërndarjen e fotografive dhe të dhënave fizike të 10-vjeçarit.

Skënder Çela, pasi ka vënë në dijeni për problemin e tij edhe Prokurorinë, ka ngurruar të japë hollësira për punën e tij. Ai ka qenë i prerë me grupin hetimor, të cilit i ka kërkuar vetëm që t’i gjejnë djalin, ndërsa s’ka dhënë shpjegime të tjera. Madje, edhe në një prononcim për gazetën “Shqip”, ka pohuar se “u mbyll kjo punë”.

Nga ana tjetër, policia duket se nuk ka gjetur asnjë provë se ai mund të jetë rrëmbyer, kështu që çështja vazhdon të ndiqet nën drejtimin e Komisariatit Nr. 3, si një largim nga banesa. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, ai është shoqëruar shumë me Gëzim P., i cili frekuenton lojërat e fatit dhe ka qenë i dënuar për vjedhje dhe i dyshuar për disa të tjera. Madje, gjithashtu, policia ka shpërndarë foton dhe emrin e tij në të gjitha pikat e kalimit kufitar nga frika se ai mund të bjerë pre e ndonjë mashtrimi dhe më pas të shfrytëzohet për qëllime të tjera kriminale.

Një tjetër pistë për Policinë e Tiranës është edhe shoqëria e 10-vjeçarit, i cili kishte filluar të frekuentohej me persona më të mëdhenj se veten. Hetuesit kanë dyshime se Juliani, ose siç e njohin (Juli), është fshehur te shtëpia e ndonjërit prej tyre. Kjo mendohet se është edhe arsyeja që është kërkuar që askush mos të flasë për të dhënat e mbledhura nga policia, ashtu siç shprehen edhe drejtuesit e shkollës, të cilët nuk kanë dashur të japin informacion, që mund të ndihmojë në gjetjen e 10-vjeçarit.

 

“Ju lutemi atyre që e kanë, ta lënë të lirë që ai të kthehet te familja” shkruan e motra e Julianit

 

Babai

Skënder Çela: Të na thonë ku është

Babai i Julianit, zyrtar në SHISH, kërkon vetëm gjetjen e djalit. Në një komunikim me gazetën “Shqip” Skënder Çela thotë se “u kërkoj personave që e kanë parë të na thonë ku është”. Sipas të afërmve, Skënderi vijon kërkimet çdo ditë për 10-vjeçarin.

Nëna

“E mbajnë të mbyllur dhe të izoluar”

“Sa më shumë kalojnë ditët aq më shumë bindemi që djalin na e mbajnë të mbyllur dhe të izoluar, pasi të paktën me mua ai ka qenë shumë i hapur dhe më tregonte çdo gjë. Nuk do të mundej kurrsesi të mos kontaktonte kaq gjatë”, thotë Luze Çela.

Të afërmit: Një telefonatë e dyshimtë te numri i së motrës

“Telefonatat në familjen e Julian Çelës, për të zhdukur gjurmët e rrëmbimit”

Sokol Çobo

Informacionet se e kanë parë Julian Çelën pas 30 nëntorit kanë qenë për të zhdukur gjurmët e rrëmbimit. Të paktën kështu dyshojnë të afërmit e familjes Çela, të cilët thonë se në numrat që kanë publikuar, kanë mbërritur shumë telefonata, ku tregohej se i mituri ishte parë në vende të caktuara. Familja ka humbur shumë mund e djersë për verifikimin e këtyre informacioneve dhe në ditën e 16-të të zhdukjes, pohojnë se gjithçka është për të zhdukur gjurmët e rrëmbimit. Madje, të afërmit pohojnë se në numrin e motrës së Julianit, ka mbërritur një telefonatë disa ditë më parë, ku telefonuesi nuk fliste dhe në sfond dëgjohej një zë fëmijë. Të gjitha këto fakte kanë bërë që familja të dyshojë për ndonjë rrëmbim, të cilin e konfirmoi edhe nëna e 10-vjeçarit, e cila tha disa ditë më parë se “Julin e kanë rrëmbyer dhe e mbajnë të izoluar”.

Gjurmët e rrëmbimit

Familja Çela ka filluar një punë hetimore, nën drejtimin e Skënder Çelës, nëndrejtori i antiterrorit në SHISH. Gjatë 16 ditëve të fundit, pjesëtarët e familjes kanë verifikuar çdo informacion dhe telefonatë që u ka mbërritur, pavarësisht gjithçkaje. Ata kanë qenë në gatishmëri natë e ditë, ndërsa kanë kryer verifikime në çdo orë, megjithatë nuk kanë mundur të gjejnë Julianin, për të cilin nuk ka asnjë gjurmë. Deklarata e Luze Çelës, nënës së të miturit, se e kanë rrëmbyer, ka ndryshuar edhe rrjedhën e kërkimeve, ku familja tashmë po mbledh prova në zonën e Laprakës. Disa prej tyre kanë shkuar në bizneset e mëdha në atë zonë, të cilat kanë edhe kamera sigurie. Megjithëse duhet të ishte një procedurë e oficerëve të policisë gjyqësore, pjesëtarët e familjes Çela, kanë parë filmimet e datës 30 nëntor të këtij viti, për të marrë ndonjë informacion mbi zhdukjen e Julianit, për të cilën thonë se tashmë nuk ka asnjë dyshim për rrëmbim. “Kemi shkuar pranë këtyre bizneseve dhe kemi parë filmimet e datës 30 nëntor. Nga verifikimet paraprake, nuk kemi parë ndonjë gjë të dyshimtë, megjithëse një pjesë e këtyre bizneseve i kishte fshirë filmimet. Kanë pasur server të vogël dhe duhej që të shikoheshin më shpejt këto filmime”, pohojnë të afërmit.

Zhdukja e provave

Për të mbledhur sa më shumë informacione për zhdukjen e Julian Çelës, familja ka publikuar tre numra të telefonisë celulare. Të gjitha informacionet verifikohen më pas nga familjarët. Megjithatë, nuk kanë munguar as telefonatat që nuk kanë pasur informacionin e duhur. Shumë prej telefonatave kanë qenë “tymuese”, të cilat kanë pasur informacione të rreme. Ka dyshime se këto telefonata bëhen për të humbur gjurmët e rrëmbimit. “Disa telefonata kanë ardhur me numra të panjohur, ndërsa disa të tjerë janë identifikuar. Asnjë informacion i saktë apo i vlefshëm, megjithëse është vënë edhe një shpërblim në lekë për këdo që jep të dhëna që mund të çojnë në gjetjen e Julianit”, pohojnë të afërmit, të cilët dyshojnë se mos telefonatat kanë qenë të koordinuara dhe të japin informacion të pasaktë.

Dyshimet për rrëmbim

Ditët që kalojnë kanë sjellë dyshimet për një rrëmbim të mundshëm të Julianit, me gjithë informacionet policore se “10-vjeçari është larguar me dëshirë”. Familjarët kanë rindërtuar edhe njëherë të gjitha faktet, ku më kryesorja ka qenë mbledhja e të dhënave nga personat që ndodheshin në qendrën e internetit, pasditen e 30 nëntorit. Biseda e fundit e Julianit është bërë me Rozën, pronaren e qendrës së internetit, ndërsa fëmijët e tjerë kanë pohuar të njëjtat gjëra për familjarët dhe policinë. Misteri më i madh është personi që e ka thirrur. Janë marrë në pyetje një numër i madh fëmijësh në zonën e Laprakës dhe askush prej tyre nuk pohon se e ka thirrur Julin. Nisur nga këto të dhëna, familja thotë se dikush që e ka njohur më parë 10-vjeçarin e ka thirrur në emër dhe më pas e ka marrë, ndoshta me një makinë, për t’u larguar pa lënë asnjë gjurmë.

Familjarët: Informacionet e rreme na kanë çoroditur. Dyshojmë se bëhen me qëllim për të zhdukur çdo gjurmë të rrëmbimit të Julianit