Në Egjipt vazhdon numërimi i votave, pas raundit të parë të referendumit për kushtetutën e re. Me votimet e mbajtura të shtunën, mbizotërimi i një vote në favor të ndryshimeve kushtetuese do të ndikonte në islamizimin e mëtejshëm të vendit me 84 milionë banorë. 

Presidenti Muhammad Morsi dhe mbështetësit e tij islamikë thonë se kushtetuta do ta çojë vendin më afër demokracisë, gati dy vjet pas rënies së sunduesit veteran, Hosni Mubarak. Kundërshtarët, megjithatë, thonë se dokumenti është hartuar vetëm nga islamikët dhe se shkel interesat e minoriteteve. 

Pjesëmarrja në votimet e së shtunës ka qenë e lartë. Raundi i dytë i votimeve në zonat e mbetura do të zhvillohet të shtunën e ardhshme.