TIRANË- Lëvizja Socialiste për Integrim ka mbledhur sot konferencën e të zgjedhurve vendorë, ndërsa gjatë fjalës së tij kreu i LSI-së Ilir Meta ka deklaruar se vendi ka nevojë për reforma konkrete. 
“Ndjehem krenar për kryetarët tanë të bashkive dhe komunave, ata nuk janë zgjedhur rastësisht në këto poste”, tha Meta. 

Kreu i LSI-së gjeti rastin të ngrejë edhe njëherë shqetësimin për gjendjen e rrugës Lushnje-Berat, duke thënë se lënia e saj në këto kushte nuk është gjë tjetër vecse diskriminim nga pushteti. 

“Po bëhen shumë rrugë në të gjithë vendin por ka edhe qytetarë që cënohen. Mund t’ju jap një fakt, në gjendje dramatike është rruga Lushnje-Berat. Në këtë qytet ka rënë numri i vizitorëve, në një kohë që në të gjithë vendin është rritur. Në rast se ecet me idenë se në Berat i kemi dy deputetë të sigurt ndaj edhe nëse s’bëjmë investine ka pak rëndësi, unë mendoj që ky është diskriminim, dhe ne jemi kundër diskriminimit”, tha Meta. 

Duke nënvizuar se puna e disa të zgjedhurve vendorë ka hasur në pengesa selektive, Meta ka siguruar se fuqia transformuese e individëve është më vendimtare se sa një grant qeverie, për të qënë i zgjedhuri i bashkisë apo komunës. 

“Ne si LSI edhe në parlament edhe në qeverisje mbështesim më fortë ecurinë e decentralizimit të pushtetit vendor. Kompetencat janë mjaft të rëndësishme, por njerëzit janë edhe më të rëndësishëm. Ne kemi raste kur edhe për arsye preferenciale mund të jetë mbështetur një kryetar komune a bashkie, por edhe pse kanë patur grante nga qeveria kanë humbur disa njerëz. Prandaj duhet vlerësuar fuqia transformuese e individëve”, tha ai. 

Një shembull i mirë i funksionimit të qeverisjes vendore tha Meta është Bashkia e Tiranës. 

“Një nga angazhimet tona ishte edhe raporti me konsumatorin dhe tregun, të gjithë e mbajnë mend cfarë spekulimesh bëheshin me cmimet në prag festash. Kur ekziston dëshira dhe vullneti gjenden alternativa për të ndihmuar qytetarët, me kujdesjen e Bashkisë së Tiranës, Nënkryetarit Panariti në atë kohë, me mbështetjen e Bashës u krijua tregu alternativ me cmime të konkurueshme, e njëjta gjë po bëhet edhe sivjet. Ky është një shembull i mirë i përkujdesjes ndaj qytetarit”, nënvizoi Meta.