Këtë të hënë, 27 korrik, u mbajt konferenca “Përballja me Manipulimin e Informacionit dhe Ndërhyrjen e Huaj: Shqipëria dhe Konteksti i Zgjerimit”, organizuar nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme. I pranishëm ishte dhe kreu i qeverisë, Edi Rama.
Ai deklaroi se sfidat e sigurisë nuk lidhen më vetëm me fuqinë ushtarake, por edhe me mbrojtjen e hapësirës së informacionit dhe besimit të qytetarëve te institucionet.
Rama theksoi se në thelb diskutimi ka të bëjë me demokracinë, besimin e publikut dhe aftësinë e shoqërive të lira për të mbrojtur vlerat demokratike.
“Në pamje të parë, kjo konferencë ka të bëjë me algoritmet dhe ekosistemet e informacionit. Në realitet, ka të bëjë me diçka shumë më thelbësore. Ka të bëjë me demokracinë, me besimin e publikut dhe, më së fundmi, me faktin që shoqëritë e lira zotërojnë strategjinë e mbrojtjes.
Sot, ne duhet të mbrojmë diçka të padukshme, sakaq jetike: hapësirën ku qytetarët tanë shkëmbejnë gjykimin dhe bëjnë zgjedhjet e tyre të lira“, tha ai.
Sipas tij, fuqia e një shteti nuk matet më vetëm me ushtrinë, por gjithnjë e më shumë me aftësinë për të ndikuar në perceptimin publik dhe për të ruajtur besimin te institucionet.
Rama shtoi se këtë çështje e ngre vazhdimisht në diskutimet me aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht kur flitet për shpenzimet në mbrojtje.
“Fuqia nuk matet më vetëm me fuqinë e ushtrive, e kjo është diçka së cilës në mënyrë obsesive i kthehem në çdo bisedë që zhvilloj me aleatët dhe partnerët tanë, kur vjen fjala për shpenzimet e mbrojtjes.
Fuqia gjithmonë e më tepër matet edhe me diçka tjetër, me aftësinë për të tjetërsuar perceptimin dhe për të krijuar besimin te institucionet“, u shpreh Rama.
Kryeministri u shpreh se manipulimi nuk ka një “uniformë” me të ccilën mund ta dallosh, por vjen përmes formave moderne si trende, video, links dhe nga ndihma e inteligjencës artificiale.
“Manipulimi dhe ndërhyrja e jashtme kurrë nuk arrin me një uniformë të veshur, vjen si një trend viral, një video deepfake, si një link që çohet në një grup WhatsApp-i, nga një person i cili mirëfilli mendon se po ndan diçka të vërtetë. Flet gjuhën tonë, e kjo është pikërisht pse është kaq efektiv. Sot manipulimi udhëton me shpejtësinë e një algoritmi, i nxitur e i fuqizuar nga inteligjenca artificiale. Thelbi është se nuk duhet më ushtri për të destabilizuar një vend“, tha ai.
Duke u ndalur tek protestat në vend, Rama tha se Shqipëria duhet të forcojë rezistencën ndaj kërcënimeve hibride dhe dezinformimit, veçanërisht në fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Besoj se jeni të informuar për të ashtuquajturin revolucion të flamingove. Është, në fakt, një shembull i jashtëzakonshëm i një klase, që u bë dhe një mënyrë për të hyrë për armiqtë tanë, për të organizuar një operacion shumë të madh trollesh dhe avataresh.
Ndërkohë që ecim me vendosmëri drejt fazës së fundit të bisedimeve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, është thelbësore të forcojmë rezistencën kundër kërcënimeve hibride. Në fakt, nuk është ushtrim burokratik, por një hap mjaft i rëndësishëm drejt ndërtimit të një shoqërie rezistente, duke mos minuar vlerat e saj demokratike dhe mënyrën e saj demokratike të jetesës“, u shpreh ai.
Në përfundim, kreu i qeverisë cilësoi se vendet që afrohen me Bashkimin Evropian përballen me rritje të kërcënimeve hibride dhe fushatave të dezinformimit nga aktorë të huaj. Shqipëria ka qenë objekt i sulmeve të tilla, e ndaj sipas Ramës, vendi duhet të forcojë aftësitë për t’iu përgjigjur këtyre sfidave.
‘Dua t’ju sjell në mendje hartën e të gjitha vendeve që janë pjesë e së njëjtës pjesë për t’u afruar me BE dhe për t’u bërë anëtar. Sa më afër shkon një vend drejt BE-së, aq më shumë rreken aktorët e huaj përmes kësaj mënyre për të hyrë tinëzisht për të sulmuar. Ne jemi pararojë dhe kemi përjetuar sulme hibride dhe fushata të orientuara informimi, dhe duhet të mësojmë shpejt“, tha ai.





