Kryeministri Edi Rama po mban një mesazh drejtuar shqiptarëve nga Rinasi, pas vizitës së tij në New York, ku mori pjesë në aktivitetet e zhvilluara në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Siç pritej, Rama foli për masën e sigurisë të caktuar nga SPAK ndaj ish-shefes së SHISH, Vlora Hyseni.

Rama theksoi se nuk është situatë e pazakontë që drejtuesi i një shërbimi sekret të merret i pandehur, por e cilësoi rast të veçantë faktin që një ish-drejtues i shërbimit sekret është bërë, sipas tij, target kombëtar dhe ndërkombëtar.

Ai u shpreh se hetimi dhe gjykimi ndaj Vlora Hysenit janë çështje që u përkasin institucioneve të drejtësisë, ndërsa mbrojtja e SHISH nga çdo dëm kolateral është detyrë e gjithë shtetit.

“Korrupsion, na mbyti korrupsioni!” Pavarësisht bindjes dhe kahut të votës, fakti që drejtësia prek zyrtarë dhe individë të niveleve të ndryshme nuk do të thotë se korrupsioni po shtohet. Përkundrazi, fakti që, në këtë kapitull të ri për Shqipërinë, hetimet e pavarura po u hapin llogari individëve tregon se mekanizmat e drejtësisë po veprojnë më shumë se më parë.

Nuk kemi pasur kurrë më parë një lloj drejtësie vërtet të pavarur, por po zbulohet dhe po goditet.

Hetimi nuk është tregues i rritjes së korrupsionit. Përkundrazi, është dëshmi se ai po vihet përballë drejtësisë.“