TIRANË- Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj dhe Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Massimo Gaiani, nënshkruan sot Memorandumin e ri të Mirëkuptimit mbi Programin "Illiria", me qëllim nxitjen dhe zhvillimin e mësimdhënies së gjuhës italiane, si gjuhë e parë e huaj, në sistemin shkollor shqiptar. 

Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, Shqipëria merr përsipër të lehtësojë dhe të përhapë mësimdhënien e gjuhës italiane në nivelin para universitar me qëllim arritjen, brenda vitit 2019, e një kuote studentësh e barabartë me 10% të të gjithë atyre që studiojnë gjuhë të huaja. 

Nga ana e saj, Italia do të ndihmojë zhvillimin e mësimdhënies së gjuhës italiane nëpërmjet kontributeve ndaj mësuesve shqiptarë të gjuhës italiane si dhe me materiale shkollore për bibliotekat dhe laboratorët e shkollave “Illiria”. 

Gjithashtu, Italia do të vijojë bashkëpunimin në formimin e mësuesve shqiptarë të gjuhës italiane përmes Zyrës së Përgjegjësit të Shkollave të Ambasadës së Italisë në Tiranë dhe Institutit Italian të Kulturës si dhe për çështjet që lidhen me funksionimin dhe zbatimin e Marrëveshjes.