FIER – Një 50-vjeçare, nënë e dy fëmijëve, ka humbur jetën rrugës për në spital, pasi është masakruar me thikë nga persona të paidentifikuar, teksa hynte në hyrjen e pallatit. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e sotme në lagjen ‘Kryengritja’ të qytetit të Fiert, ndërkohë mësohet se viktima Asinja Krytha është qëlluar në befasi nga persona të paidentifikuar në hyrje të pallatit të saj dhe më pas është therur me thikë.
Burime policore bëjnë me dije se 50-vjecarja është nisur menjëherë drejt spitalit rajonal, por fatkeqësisht nuk ka mundur t'i mbijetojë plagëve të marra.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e identitetit të autorëve dhe kapjen e tyre. Mësohet se viktima Asinja Krytha, 50-vjeç jetonte e vetme me dy fëmijët e saj, pasi ishte e divorcuar nga bashkëshorti.
Kjo është ngjarja e dytë e rëndë brenda 24 orëve, ku viktima mbeten femrat. Në mesditë, një 28-vjeçare në muajin e gjashtë të shtatzanisë është rrahur dhe goditur barbarisht nga bashkëshorti i saj me mjete të forta në kokë mesditën e sotme në Korçë, ndërkohë që ndodhet në spital në gjendje të rëndë.





