TIRANE – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nderoi me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, personalitetin e shquar, historianin, shkrimtarin, akademikun dhe politikanin Sabri Godo (Pas vdekjes), me motivacionin: “Personalitetit të shquar të politikës dhe kulturës kombëtare, politikanit të urtë dhe vizionar me kontribut të çmuar në proceset demokratike; shkrimtarit e skenaristit që talentin e vuri në shërbim të popullit dhe vendit të tij”.
Në ceremoninë zyrtare të zhvilluar me këtë rast,në mjediset e Presidencës ishin të pranishëm familjarë, miq dhe bashkëpunëtorë të Sabri Godos.
Duke përshëndetur pjesëmarrësit, Presidenti i Republikës u shpreh se është privilegj të nderojmë një prej figurave të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, Sabri Godo.
“Jam i bindur që ky akt i yni në nderim, në vlerësim dhe në kujtim të Sabri Godos është në fund të fundit një vlerësim dhe një borxh që qytetarët shqiptarë dhe çdo shqiptar i mirë dhe i ndershëm do të kishte kënaqësinë që ta jepte si kontribut”, – theksoi Kreu i Shtetit, duke e konsideruar veprën që la pas Sabri Godo, krenari jo vetëm për familjen e trashëgimtarët e tij, por për të gjithë shqiptarët.