TIRANE – Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për shpërblimin e pronarëve, trojet e të cilëve janë zënë nga ndërtimet informale, të kualifikuara për legalizim. Nga ky vendim do të përfitojnë pronarët e ligjshëm në disa qarqe të vendit si Durrës, Elbasan, Fier, Kukës, Tiranë, Vlorë etj.

Sipërfaqja që do të vihet në dispozicion të ish pronarëve për këtë kompensim është 61.242 m2 truall. Në këtë mënyrë Këshilli i Ministrave miratoi propozimin e bërë pak kohë më parë nga ministri i punëve publike dhe transportit, Sokol Olldashi.

Masa e shpërblimit, e përcaktuar nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave sipas metodikës për vlerësimin e pronës së paluajtshme që kompensohet sipas ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, ka vlerë të përgjithshme 801.132.560 lekë.

Nga ana tjetër ministri Olldashi shpërndau dje 38 titujt e parë ekzekutiv për rrethin e Tiranës, që mundëson rikthimin e banesave të zëna nga qiramarrësit në duart e pronarëve të ligjshëm të tyre.