TIRANE-Me një dorë të hekurt, rrallëherë të dëgjuar më parë në futbollin shqiptar, klubi Vllaznia ka gjobitur dje të gjithë futbollistët dhe ka "internuar" te skuadra e të rinjve dy prej tyre, Tefik Osmanin e Vilfor Hysën.

Klubi shkodran ka marrë masa drastike ndaj shkaktarëve të gjendjes jo të mirë që ka kaluar ekipi në kampionat, ndërsa "sëpata" ka rënë sidomos mbi dy blerjet e reja, Osmani e Hysa. Ata janë gjobitur me 45 % të kontratës që kanë nënshkruar me këtë klub, ndërsa për tre muaj do të luajnë me ekipin e të rinjve, U19. Një masë e rëndë ndaj tyre, ç'ka mund të çojë edhe në divorcin në muajin janar.

Vendimi i publikuar dje për mediat mban firmën e administratorit Fatos Gjyrezi, ndërsa gjithçka bazohet te rregullorja e klubit dhe te kontratat e nënshkruara. "Bazuar në Statutin e KF. Vllaznia sh.a., kontratat individuale të futbollistëve me klubin., propozimin e ardhur nga drejtori sportiv, mbështetur në kompetencat e mia si administrator ligjor i shoqërisë, në zbatim të kapitullit që flet për sanksionet, kam vendosur këto masa", thuhet në komunikatën e shpërndarë nga Vllaznia. Baza ligjore ku janë mbështetur drejtuesit e klubit shkodran parashikon gjoba nga 10 deri në 50 % të kontratës, pezullime të përkohshme nga stërvitjet apo veprimtaritë e tjera të organizuara nga klubi si edhe penalitete të tjera. 

Skuadra

Masat ndaj Osmanit e Hysës, dy lojtarët e marrë me shumë bujë në merkaton e verës, nuk janë të vetmet. Kështu, i gjithë ekipi është ndëshkuar me rrogën e një muaji e gjysmë, ndërsa dy lojtarë të tjerë që kanë pësuar sanksione shumë të rënda, janë kosovari Ilir Nallbani dhe vlonjati Halim Begaj. Ata janë gjobitur me 35 % të vlerës së kontratës, por ndryshe nga Osmani e Hysa, nuk janë dërguar të stërviten me ekipin e të rinjve. I kontaktuar nga gazeta, mbrojtësi Tefik Osmani nuk pranoi të bënte komente, pasi, sipas tij, do të ketë një takim ditën e sotme me drejtuesit e klubit, për të folur për hapat e mëtejshëm. Vendimet e djeshme mbeten nga më të rëndat në futbollin shqiptar vitet e fundit, ndërsa ato janë marrë për shkak se Vllaznia duket jashtë objektivave të vendosura në fillim të sezonit.


 

Trajneri

Në komunikatën e djeshme të klubit shkodran, ka edhe një pikë që flet për trajnerin Shpëtim Duro, ku thuhet se puna e tij dhe e stafit teknik do të jetë objekt i një shqyrtimi të mëvonshëm. Dy ditë më parë, tekniku kryeqytetas mori konfirmimin nga ana e kryetarit të bashkisë Lorenc Luka, ndonëse nga brenda klubit është mësuar se Duros i është kërkuar dorëheqja dhe ai nuk e ka dhënë. Ndodhur në këto kushte, drejtuesit e klubit pritet të kenë një tjetër takim me trajnerin, që në rast shkarkimi, do ta përfitonte kontratën të plotë. Diçka e tillë do të çonte në një problem madhor financiar për Vllazninë, gjë që nuk dëshirohet nga drejtuesit e klubit dhe kryebashkiaku Luka.