TIRANË- Përfundon në pranga kontrollori i Kufirit dhe Migracionit në Aeroportin e Rinasit. Ka qenë Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, organi që ka arrestuar nënkomisar Eduart Çelmetën, i cili prej disa muajsh ndodhej nën vëzhgim. Efektivi i policisë akuzohet për “Korrupsion pasiv nga personat që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim detyre”, parashikuara nga neni 259 dhe 248 i Kodit Penal.
Pas hetimit disa mujor policia ka arritur në përfundimin se Çelmeta, në mënyrë të vazhdueshme, në kundërshtim me detyrën që duhet të kryente dhe në këmbim të përfitimeve të paligjshme financiare ka lejuar kalimin e paligjshëm të kufirit shtetëror në aeroportin e Rinasit, të shtetasve të ndryshëm. Dyshohet se kontrollori përfitonte shuma që variojnë nga 400 deri në 500€ për personat që lejonte të kalonin në mënyrë të paligjshme.
Në të njëjtën kohë policia së bashku me prokurorinë e Tiranës po punojnë për zbulimin e të tjerë personave që mund të kenë lidhje me këtë veprimtari të paligjshme.





