TIRANE – Gjykata e Lartë pushoi çështjen ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili akuzohet nga të dëmtuarit e Gërdecit për plagosje të rëndë nga pakujdesia.
Gjykata argumentoi sot se vepra penale për të cilën akuzohet ministri Mediu është amnistuar dhe si rezultat çështja do të pushohet.
Mbrojtësit ligjor të ministrit Mediu kërkuan vazhdimin e gjykimit të çështjes dhe për këtë qëllim paraqitën edhe kërkesën përkatëse. Kërkesa për vazhdimin e gjykimit bazohet në një vendimin nr.16 të vitit 2010 të Gjykatës Kushtetuese.
“I bindur tërësisht në mungesën e përgjegjësisë penale dhe qenien i pafajshëm për çdo vepër të tillë, Mediu dhe mbrojtësit e tij ligjor do të shfrytëzojnë çdo mjet ligjor për të mundësuar shqyrtimin përfundimtar të kësaj çështje, duke shpresuar se përdorimi i ulët politik i kësaj çështjeje do të marrë fund një ditë”,- thuhet në deklaratën e shpërndarë nga zyra e shtypit e ministrit Mediu.
Ministri Mediu, që tashmë mban portofolin e Ministrisë së Mjedisit përfitoi nga amnistia e miratuar me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.





