SPANJE – Lionel Messi konfirmon se është tani për tani lojtari më i mirë në botë. Me fitoren e realizuar në kampionatin spanjoll, ku ekipi i tij, Barcelona mundi 2-1 Real Betis, argjentinasi vendosi 2 rekorde njëherazi.

Veç fitores që i fali skuadrës së tij me dy golat e shënuar, Messi theu rekordin e Gerd Müller me 85 gola të shënuar në vitin 1972 dhe atë të Cesar Rodriguez, me 190 gola me fanelën e Barcelonës. Falë këtyre rekordeve personale “pleshti” u shndërrua dje në golashënuesin më të mirë të skuadrës katalanase në kampionatin spanjoll.  

Lionel Messi është një nga favoritët kryesorë për rrëmbimin e Topit të Artë dhe në rast fitimi ai do të shndërrohet në futbollistin e parë që e merr këtë trofe 4 herë radhazi. 

Deri tani Messi ka shënuar 86 gola nga të cilët 56 në kampionat, 3 në Kupën e Mbretit, 13 në Champions League, 2 në Superkupën e Spanjës dhe 12 me kombëtaren argjentinase.