Apendiciti dhe dhjami janë sëmundje që shpesh herë nuk vlerësohen dhe kjo ka jo pak pasoja të cilat e çojnë pacientin deri në humbjen e jetës. Kirurgu Osman Dafku ka bërë të qartë se më shumë se 30 përqind e personave që kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale të apendicitit apo dhjamit e neglizhojnë sëmundjen dhe përfundojnë me urgjencë në spital. Si në rastin e parë edhe të dytin sëmundja nuk kalon pa ndërhyrje kirurgjikale ndaj vonesa rezulton të jetë në dëm të shëndetit.
“Librat thonë se një apendicit i cili vonohet mbi 24 orë pa u operuar nuk ka asnjë garanci për jetën e pacientit”,- bën të ditur kirurgu Dafku. Apendiciti është inflamacion i rudimentit të zorrës dhe shtyrja e operimit shkakton qelbje të organeve të brendshme. Kirurgu Dafku thotë se bëhet fjalë për një trup krejt të panevojshëm dhe pa asnjë funksion pozitiv në trupin e njeriut që natyra nuk ka mundur ta shmangë, por që u sjell njerëzve telashe shumë të mëdha. Infektimi tij e detyron të sëmurin të përfundojë në thikë në mënyrë të detyruar për ta hequr.
“Sa më shumë ta vonosh, aq më keq është, aq më shumë komplikacione sjell, aq më i vështirë bëhet”,- pohon kirurgu. Apendiciti është në formën e thjeshtë kur i sëmuri paraqitet në spital sapo ndien dhembjet e para dhe i ndërlikuar kur pacienti paraqitet në urgjencë me apendisit të plasur. Në rastin e parë ndërhyrja nuk zgjat më shumë se 30-40 minuta, ndërsa nëse bëhet fjalë për apendisit të plasur gjithçka varet nga shkalla e përhapjes së infeksionit në organet e barkut.
Kirurgët e klasifikojnë këtë sëmundje shumë problematike. Inflamacioni i zorrës ka klinikën e vet, shenjat e saj të shfaqjes. Kështu i sëmuri ka dhembje të forta të barkut dhe i duhet bërë detyrimisht ekzaminimi. “Dhembjet e barkut mund të jenë të një mijë e një natyrave dhe klinikisht atë e dallon vetëm mjeku specialist”,-thotë kirurgu i cili këshillon se njeriu nuk mund t’i besojë vetes së tij për ta qetësuar anën psikologjike. Më tej ai shton se qytetari që ka dhembje të pandërprera të barkut për 5-6 orë detyrimisht duhet të kërkojë konsultë me specialistin, pasi vetëm ky i fundit ka mundësinë profesionale për ta diagnostikuar.
Kirurgu këshillon prerë dhe qartë se çdo neglizhencë e dërgon të sëmurin në dilemën e madhe të jetës. Apendiciti plas dhe në këtë rast qelbëzimi përhapet në të gjithë hapësirën e barkut. Në fare pak kohë infeksioni i rëndë futet në mes të organeve të tjera duke e vështirësuar shumë pastrimin. Apendisti shoqërohet me dhimbje përgjithësisht në anën e djathtë të ijes dhe shumë rrallë ndodh që ato të shfaqen në anë të majtë të saj. Operimi i apendicitit është i detyrueshëm në çdo rast që rudimenti i zorrës shfaqet i acaruar.
Duke vijuar në arsyetimin e tij lidhur me pasojat me të cilat përballet personi, kirurgu bën të ditur se nuk mund të shmanget operimi pasi do të vijë një moment që të sëmurit do i shtohen dhimbjet dhe krizat do të bëhen të forta dhe të paduruara. Në të tilla kushte të një apendiciti të lënë pas dore humbet edhe siguria.
“Personi rrezikon komplikacione edhe pas 24 orëve nga operimi. Operohet por saktësia e pastrimit të qelbit dhe të mikrobeve nuk është detyrimisht i plotë”,- sqaron kirurgu. Mikrobet nuk shihen me sy dhe duke qenë apendisit i plasur atëherë ka shumë të mundur që pacienti të marrë përsëri mikrobe edhe pas pastrimit duke bërë që të rinisë qelbëzimi edhe vijohet me ndërhyrjen kirurgjikale. Kështu lind nevoja edhe për një tjetër ndërhyrje, apo edhe një të tretë.
Sipas të dhënave dhe studimeve mjekësore apendiciti është infeksion, nuk ka shkaktar dhe as nuk është pasojë e ndonjë faktori të jashtëm, ndryshe nga dhjamthi. Aktualisht nuk ka statistika apo ato nuk janë bërë ndonjëherë publike, por lënia pas dore e kësaj sëmundjeje është fenomen shumë i njohur.
Dhjamthi
Njëherësh kirurgu Osman Dafku pohon se me jo pak problem është edhe dhjami që ka të njëjtin shqetësim nëse do të neglizhohet. Dhjami është plasje e cipave të barkut dhe në atë vend barku del jashtë nën lëkurë. Dhjamthi shfaqet në vende të ndryshme, në pjesët e ijeve, rreth kërthizës, në pjesën e parme të barkut. Sipas vendit ku del, edhe emërtohet. Edhe ky rast ka si rrugë të vetme operimin.
Përgjithësisht ndërhyrja kirurgjikale bëhet e planifikuar, por ndodh që pacienti të futet drejt në sallë nëse i sëmuri gjendet përballë faktit që zorra ka dalë jashtë nën lëkurë dhe nuk shkon më në folenë e saj të brendshme. Dalja jashtë e zorrëve ka jo pak komplikacione, pasi shfaqet edhe kalbja e tyre si pasojë e shtërngimit që ndodh brenda.
“Po erdhi me vonesë ka ndodhur kalbja e zorrëve dhe i sëmuri operohet menjëherë, i hiqen zorrët”,- thotë Dafku. Fermentimi ndodh në varësi nga strambulimi, diametri i vrimës, forca e mbështjelljes dhe e shtërngimit. Kirurgu thekson se kalbëzimi nuk është proces i gjatë kohe, ai mund të ndodhë edhe brenda 5-6 orëve.
Kirurgu Dafku pohon se është e lehtë për këdo ta dallojë këtë sëmundje pasi dhjamthi shikohet me sy dhe preket me dorë, ndërsa shfaqet si në të djathtë edhe në të majtë. Mjaftojnë edhe vetëm 2 orë për të shkaktuar shtërngimin e zorrëve dhe nisjen e kalbëzimit gjë që e komplikon shëndetin e të sëmurit. Janë disa shkaqet që e manifestojnë këtë sëmundje dhe që kanë të bëjnë me sforcimet e mëdha fizike, rënia e rezistencës së trupit, dobësimi fizik, puna me pesha, barra tek gratë dhe faktorë të tjerë.
Specialisti bën të qartë se dhjamthi mund të përsëritet edhe herë të tjera pas ndërhyrjes kirurgjikale, ndryshe nga apendiciti që pasi hiqet nuk ka mundësi të rishfaqet. Kirurgu bën të ditur se ka pasur raste që i njëjti person të ketë hyrë në thikë deri në 5 herë vetëm për të hequr dhjamin që i përsëritej herë pas here.
Kjo përsëritje nuk ka ndonjë periudhë të caktuar kohore, megjithatë nuk vjen njëra pas tjetrës. Rastet e ribërjes së detyruar të operimit kanë ndodhur vite më parë, ndërsa tani mjekësia ka gjetur zgjidhjen e duhur për ta frenuar atë. Në dhjetëvjeçarin e fundit për të shmangur dërgimin e përsëritur të të sëmurit drejt sallës së kirurgjisë, pas operimit atij i vendoset një rrjetë që e bën të pamundur përsëritjen e dhjamit, ndërsa rrjeta nuk ka asnjë lloj pasojë negative dhe as nuk sjell bezdi në jetën e pacientit.
Apendiciti, zbulohet proteina që e identifikon
Në të ardhmen nuk do ta heqim apendesitin vetëm kur të ndiejmë dhimbje në bark pasi një test i thjeshtë mund të na tregojë nëse një ditë do na shkaktojë probleme. Kërkuesit e “Children's Hospital” në Boston kanë identifikuar në urinë një proteinë që mund të shërbejë si “spiune” e problemeve me apendecitin. Bëhet fjalë për një nga urgjencat më të shpeshta të kirurgjisë pediatrike që nëse vonon ndërhyrja kirurgjike, mund të çojë deri në vdekjen e të sëmurit. Sipas kërkuesve, proteina LRG është treguesi më i saktë i zbuluar deri tani për apendicitin. Ky zbulim është publikuar në revistën shkencore “Annals of Emergency Medicine”.
Apendiciti nuk operohet, tani kurohet
Një studim suedez lidhur me përdorimin e disa antibiotikëve, tregoi se mund të evitohet operimi i apendicitit, si rrjedhojë e kurimit me medikamente. Shkencëtarët suedezë të Sahlgrenska Academy në bashkëpunim me Universitetin e Goteborg treguan se apendiciti akut mund të kurohet edhe pa qenë nevoja e ndërhyrjes kirurgjikale. Jeanette Hansson e cila drejtoi studimin tregoi mënyrën se si u arrit në këtë përfundim, nëpërmjet kurimit me antibiotikë të disa pacientëve të prekur nga ky problem. Rreth 80% e pacientëve me apendicit akut, mund të kurohen me antibiotikë, edhe pse ka raste kur është e nevojshme ndërhyrja kirurgjikale, pasi antibiotikët nuk mund të shërojnë plotësisht.
Deri më sot në shumicën e rasteve është përdorur ndërhyrja kirurgjikale, gjithsesi Hansson tregon se janë të shumtë pacientët që mund të mjekohen me medikamentet e nevojshme, pasi përmes tyre mund të evitohet rëndimi i apendicitit dhe shmanget kështu operimi. Nëse nuk kurohet apo kalohet pa u diagnostikuar mund të ndodhi që apendiciti të plasi dhe infeksioni të përhapet nëpër bark dhe në jo pak raste ka rezultuar vdekjeprurës.