Policia e Durrësit ka intensifikuar kontrollet për ndotjen akustike në zonat turistike, në kuadër të masave për garantimin e qetësisë dhe sigurisë gjatë sezonit veror.

Gjatë ditëve të fundit janë zhvilluar takime sensibilizuese me administratorë dhe pronarë subjektesh, ndërsa grupe kontrolli kanë kryer matje të nivelit të zhurmës në ambiente të hapura dhe të mbyllura. Sipas policisë, rezultatet kanë qenë brenda kufijve të lejuar nga ligji.

Po ashtu, janë verifikuar edhe oraret e transmetimit të muzikës në ambiente të hapura, të cilat lejohen nga ora 11:00 deri në 24:00.

Njoftimi i plotë:

Durrës/Policia, kontrolle për nivelin e zhurmave në zonat turistike të Durrësit.

Në vijim të masave sensibilizuese, janë organizuar takime informuese me administratorë/pronarë subjektesh, kryesisht në zonat turistike, aktivitetet e të cilëve gjenerojnë zhurma nga muzika.

Gjithashtu, ka nisur zbatimi i detyrave të parashikuara në planin e masave për garantimin e sigurisë publike gjatë sezonit turistik veror.

Strukturat e sigurisë publike të Komisariatit të Policisë Durrës, gjatë ditëve të fundit, sipas hartëzimit të zonave me ndotje akustike, kanë organizuar grupe kontrolli në terren.

Në kuadër të këtyre kontrolleve, janë testuar me matës të zhurmës disa ambiente dhe subjekte, të hapura dhe të mbyllura, në zona turistike, për verifikimin e respektimit të nivelit kufi të lejuar të zhurmës, të përcaktuar në ligjin nr. 9774, datë 12.07.2007 “Për administrimin e zhurmës në mjedis”, i ndryshuar.

Matjet e realizuara, sipas kushteve të përcaktuara në procedurën standarde për këtë qëllim, kanë rezultuar brenda kufijve të lejuar.

Krahas matjes së nivelit të zhurmës, strukturat përgjegjëse kanë ushtruar kontrolle edhe për respektimin e orarit të lejuar për transmetimin e muzikës në ambiente të hapura, në zona apo qendra të banuara, i cili është nga ora 11:00 deri në orën 24:00.

Policia e Durrësit mbetet e angazhuar dhe e vendosur për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt për banorët dhe vizitorët.

🛑 Ftojmë qytetarët të denoncojnë çdo shkelje 📞, duke iu garantuar ndërhyrje të menjëhershme ligjore.