Të përndjekurit rikthehen edhe njëherë në qendër të vëmendjes. Pas vetflijimit të dy prej tyre, nga të cilët Lirak Bejko pati fatin tragjik që të humbiste jetën rreth një javë më parë, një tjetër ish i përndjekur kërcënon me vetflijim. Asllan Patrioti, koordinatori i grevës së urisë, i arrestuar tre javë më parë me akuzën e korrupsionit pasiv ka paralajmëruar vetëflijimin.

Patrioti deklaron se do të ndjekë shembullin e Gjergj Ndrecës dhe Lirak Bejkos nëse gjykata e Apelit do të vazhdojë ta lërë në arrest shtëpie. “Unë do ndjek shembullin e Lirak Bejkos, bashkëvuajtësit tim. Arrestimi im është politik. Unë nuk kam bërë asnjë krim. Më dhanë masën arrest shtëpie, të cilën e kundërshtoj fort. Edhe avokati e ka refuzuar. Të vësh në arrest shtëpie një kryefamiljar është krim i dytë, ose një vdekje e dytë, sepse me se do të ushqehemi. Unë gjendem në mes të katër rrugëve pa asnjë përkrahje nga shteti. Unë nuk kam një banesë. Nëse ky arrest shtëpie nuk hiqet unë do të vetëdigjem shumë shpejt”,- tha Patrioti.

Sipas tij policia e kontrollon shpesh shtëpinë e tij dhe e mban nën vëzhgim gjatë të gjithë kohës. “Policia më rri natë ditë këtu dhe ushtron kontroll në banesën time. Policia mbërriti menjëherë sapo i cova një sms në celular kryeministrit ku i thashë se dua të më heqë arrestin e shtëpisë dhe të më japë këstet e viteve të burgut”,- thotë Patrioti, i cili nënvizon se vetëm një këst dëmshpërblimi ka marrë deri tani. 

“Vetëm një këst kam marrë deri tani, këstin e dytë e kanë hedhur në listën e para disa ditëve. Edhe këtë këst nuk shkoj dot ta marr, sepse jam në arrest shtëpie. Deri tani duhet të kishim marrë katër këste. Ne kjo qeveri na ka konsideruar si plehëra të komunizmit dhe ky është turp. Ne nuk jemi njerëz të pavlerë dhe plehra të komunizimit, sepse kemi vuajtur në burgjet e tij dhe nga puna e ish të burgosurve politikë janë ndërtuar të gjitha veprat më të mëdha që ka sot vendi”,- tha ai.