Policia italiane ka shkatërruar një bandë italo-shqiptare, që kryente trafik ndërkombëtar drogë. Dyshimet e para të policisë datojnë që në vitin 2018.

Operacioni policor anti-drogë u krye në bashkëpunim edhe me policinë shqiptare dhe gjermane ku raportohet se ka të arrestuar në Vlorë, Këln dhe Romë, raportojnë mediet e vendit fqinjë.

Gjithsej janë 55 të arrestuar, mes tyre 27 shtetas shqiptarë, ku 5 prej tyre në Vlorë.

Banda trafikonte kanabis nga Shqipëria në Itali dhe droga dërgohej në Gjermani me autobusë e trena.

Karabinierët, nga kontrollet e tyre kishin vrenjtur se në një stacion autobusi në Tributina, gjithmonë kalonte një nigerian, duke shtyrë një karrocë me rrota, brenda së cilës kishte rroba të përdorura. Por pas një kontrolli, policia mësoi se brenda karrocës nuk kishte rroba, por kilogramë të tëra droge.

Pas dy vitesh intensive hetimesh, ndjekje dhe përgjimesh, policia e Romës ka arritur të godasë një nga organizatat më të mëdha ndërkombëtare. Droga dyshohet se vinte nga Shqipëria dhe tregtohej në Itali dhe Gjermani.

Droga dërgohej drejt Gjermanisë me autobusë dhe përmes linjës hekurudhore. Ndërsa sasia shpërndahej më së shumti nga nigerianë, të cilët kamufloheshin si endacakë e të pastrehë. Organizata, e cila drejtohej nga shqiptarë, kishte krijuar një sistem të mirëorganizuar. Operacioni është zhvilluar në tre shtete, Gjermani, Shqipëri dhe Itali. Në Shqipëri, droga dyshohet se prodhohej në Vlorë.