24 nëntor 2015 – Një shpërthim ka tronditur Athinën rreth orës 03:35 minuta të së martës, në rrugën “Ksenofondos”, vetëm pak metra larg sheshit “Sindagma”.

Policia thotë se objektiv i autorëve të këtij sulmi ishte godina e dhomës së industrialistëve grekë që ndodhet pikërisht në këtë rrugë në qendër të Athinës. Autoritetet thanë se persona të panjohur telefonuan në redaksitë e dy gazetave, duke njoftuar për vendosjen e bombës në qendër të Athinës. Fatmirësisht nga ngjarja nuk pati persona të lënduar, por dëme materiale.

Autoritetet helene e veçojnë ngjarjen nga aktet terroriste të ndodhura në France apo vendet e tjera perëndimore. Sipas policisë, dyshimet e para kanë të bëjnë me një organizatë të majtë të karakterit marksist dhe anarkist dhe jo me ndonjë celulë islamike.

Ende asnjë organizatë nuk e ka marrë përgjegjësinë e këtij shpërthimi në qendër të Athinës.

/portali DurresLajm/