24 nëntor 2015 – Një tjetër i ri shqiptar rezulton se ka mbetur i vrarë në Siri, ku mendohet se luftonte krah ISIS-it. Ai është Mariglen Dervishllari, 26 vjeç i cili ishte nga një fshat i Pogradecit. Në fakt emri i tij është mësuar rreth dy vite më parë kur ai u plagos, ndërsa ishte në mesin e një grupi shqiptarësh që u goditën në një bazë në Siri. Sipas të dhënave, asokohe ai erdhi në Shqipëri dhe pasi u shërua u kthye sërish në zonën e luftimeve.
Referuar të dhënave që shoqërojnë vdekjen e radhës në radhët e shqiptarëve që thuhet se shkojnë të luftojnë në emër të “Allahut” në Siri, mësohet se Dervishllari ka dalë nga vendi jonë nëpërmjet pikës kufitare të Rinasit me datë 24 tetor të një viti më parë.
Ende nuk dihet nëse trupi i tij mund të kthehet në Shqipëri të familja e vet apo jo. Mariglen Dervishllari është viktima e 14-të në radhët e shtetasve shqiptarë që kanë shkuar të luftojnë për xhihad në luftën që tashmë duket se po tmerron botën.
/portali DurresLajm/





