*Pranga Erol Hasanit në Palermo. Dy arabë nuk hyjnë në Shqipëri, situata me ekstremistët shqiptarë
23 nëntor 2015 – Në kuadër të masave Antiterror, një shqiptar 20 vjeç u ndalua dje në Katania të Italisë, bashkë me një sirian dhe dy shtetas nga Malta, pasi mbanin dokumente false. Për shkak se i riu shqiptar do të udhëtonte drejt Maltës me gjeneralitete të ndryshuara, ekspertët e Antiterrorit e kanë cilësuar si person me rrezikshmëri potenciale, për kryerjen e akteve terroriste. Nga ana tjetër mësohet se të paktën 2 shtetasve nga vendet arabe u është mohuar hyrja në kufijtë shqiptarë, për shkak se ishin në listën e shërbimeve të huaja sekrete si të dyshuar për lidhje me terrorizmin. Më tej, lista e personave me prirje radikale është shpërndarë në të gjitha pikat kufitare dhe mësohet se këtyre shqiptarëve nuk u lejohet dalja nga kufijtë.
Shqiptari në Itali
Në zonën e Palermos, policia italiane ka kryer disa kontrolle të imtësishme, nga ku rezultoi se 20-vjeçari nga Republika e Shqipërisë, i quajtur Erol Hasanaj, mbante dokumente false dhe do të udhëtonte drejt Maltës. Hasanaj nuk justifikoi arsyen e vizitës atje dhe për më tepër u paraqit me gjeneralitete të rreme. Bashkë me Hasanajn, për të cilin mediat italiane thonë se kishte dijeni nga Elektronika, u arrestuan edhe dy shtetas nga Malta, 35 dhe 28 vjeç, të cilët gjithashtu do të udhëtonin drejt vendit të tyre dhe mbanin dokumente false. Në këtë aksion u arrestua edhe një i mitur sirian që do të udhëtonte drejt Mançesterit të Anglisë.
Momentalisht, akuza që rëndon për ta është “falsifikimi i dokumenteve”, por Antiterrori italian i ka përfshirë në listën e personave që përbëjnë rrezikshmëri për akte të dhunshme. Më herët, në kufirin e Italisë me Francën është ndaluar një tjetër shqiptar, me një armë të ftohtë, i cili më pas u procedua penalisht në gjendje të lirë. Kontrollet e shtuara në Palermo erdhën pas ndalimit të dy tunizianëve, të cilëve iu gjetën sende si ato që përdoren për të bërë bomba dhe 10 mijë euro kesh. /Shqip
/portali DurresLajm/





