20 nëntor 2015 – “Më kanë kërcënuar e kam dhënë dorëheqjen nga shpërndarja e metadonit. Këtë e di Policia e Rendit. Janë 96 persona ata që trajtojmë me metadon, vetëm unë e një infermiere”, është ky reagimi i mjekut toksikolog Gazmir Demiri, pas protestës para policisë së Durrësit të mbi 50 personave, ish-të droguar, të cilët kërkonin dozën ditore të metadonit.

“Nuk  e përballoj dot më këtë punë, një ekip prej dy vetash jemi. Kam dhënë dorëheqjen sepse nuk merrem dot më me ta, prandaj ka ndodhur kjo, por metadon ka, nuk mungon. 10 a 12 prej tyre janë agresivë, shpeshherë na kanë kërcënuar, kemi thirrur policinë disa herë në qendrën e shpërndarjes së metadonit. Ata janë të rrezikshëm”, thotë mjeku Demiri.

“Janë 96 persona që trajtojmë, nga Durrësi, Shijaku e Kavaja, janë edhe ata që vijnë nga burgjet aty. Ka shumë kërkesa. Ka kërkesa për t’u trajtuar edhe nga ata që kanë përdorur kokainë, hashash, amfetaminë etj. Por ne trajtojmë vetëm ata që kanë përdorur heroinë”.

Sipas mjekut, pak persona prej këtyre që trajtohen, marrin metadonin e holluar në ujë dhe bëjnë manipulime, duke i hedhur brenda valium e substanca të tjera dhe e përdorin si drogë ultravendoze. “Janë përdorues të rrezikshëm nja 10 a 12 prej tyre. Kam vënë në dijeni edhe policinë”, nënvizoi mjeku. Sipas tij puna është bërë mjaft e vështirë dhe për këtë e papërballueshme.

Por çfarë ndodh realisht në të vetmen qendër të shpërndarjes së sponsorizuar nga AKSION PLUS?

Në orën 13:00 deri në 14:00 kur bëhet shpërndarja e metadonit të holluar, aty mblidhen së paku mbi 150 persona të moshave të ndryshme. Midis tyre ka edhe gra që vijnë të marrin metadonin për bashkëshortët e tyre e për fëmijët, ashtu sikundër ka prindër që vijnë për fëmijët e tyre. Ekipi mjekësor nuk mbërriti në orarin e përcaktuar, ndërsa ata u bënë shumë agresivë, dhe paralajmëruan se në mungesë të medikamentit bëhen agresivë, dhe detyrohen të vjedhin e të kryejnë vepra penale, për të siguruar paratë që iu duhen për ta blerë në farmaci apo të sigurojnë drogën. Ata akuzojnë ekipin mjekësor se bën tregti me këtë medikament, duke mos e shpërndarë për nevojtarët. Madje ata thonë se iu kanë kërkuar nga 20 mijë lekë në muaj pagesë, ndërkohë që metadoni është falas në të gjithë Botën.

Mjeku dhe infermierja, dy ditët e shkuara nuk e shpërndanë dozën e metadonit në orën 13:00 deri në 14:00 sipas grafikut. Ish-narkomanët dolën para policisë në protestë, dhe inspektorët e policisë me urdhër e nën mbrojtje të tyre morën infermieren dhe u shpërndanë dozën e metadonit. 

/K.H. portali DurresLajm/