19 nëntor 2015 – “Me fjalë të vogla”, kënga që riktheu Flori Mumajesin mes kolegësh në një garë festivali, mund të jetë një dedikim dashurie për Elvana Gjatën. Pas publikimit javën e shkuar në “E diela Shqiptare”, kantautori nuk bëri ndonjë koment që mund të ngjallte dyshime mbi atë që e frymëzoi për t’i dërguar mesazhin e ndjerë përmes këngës. Por, “sekretin” duket se e ka zbuluar vetë “muza”, Elvana Gjata, e cila në një video të postuar në ‘snapchat’, ka zgjedhur 4 sekondat vendimtare të këngës, ku dëgjohet: “Të du!”, shkruan “Lapsi.al”.
Lajmi i rikthimit të Flori Mumajesit në “Kënga Magjike” pas 6 vitesh u analizua gjatë në mediat rozë. Vetë kantautori ia adresoi fansave, si dëshirë të tyre për ta parë dhe një herë në atë skenë, si dikur.
Krijimi RnB, “Me fjalë të vogla”, është një këngë e thjeshtë, ndoshta më “seriozja” që Flori ka kënduar kohët e fundit vetë. Zhargoni në “kosovarçe” duket se i ka ngjitur 33-vjeçarit dhe tashmë nuk mund ta shmangë. Por, ajo që të bën përshtypje teksa i hedh një sy tekstit të këngës, janë vargjet e kantautorit që nuk të lënë të kuptosh, i drejtohen një femre apo një mashkulli? Gjë kjo, e zgjedhur ndoshta me kast; që nëpër rreshta, të gjejnë veten të dyja gjinitë!
/portali DurresLajm/





