19 nëntor 2015 – Ndalohen dy punonjës të Rapiscani-t në Durrës për ndalimin e 1.6 tonëve drogë që u kap në Bari ditën e djeshme, sasi e cila ka kaluar nëpërmjet portit të Durrësit.

Policia bëri me dije se nga hetimet e kryera, ka rezultuar se dy të ndaluarit Fatjon Trezhnjeva, 28 vjeç dhe Edmond Hysko, 42 vjeç, të dy banues në Tiranë, kanë kryer skanimin e kamionit të ngarkuar me dru për në Itali. Nga skanimi është vënë re se në kamion ka pasur mall të dyshimtë dhe për këtë nuk është marrë asnjë masë dhe ata nuk kanë bërë asnjë lloj sinjalizimi.

2 punonjësit e shoqërisë Rapsican S2 Albania, duhej të kishin ndaluar mjetin me targa AA 292 JY dhe rimorkion me targa ACR 715, dhe të bënin kontroll të imtësishëm, por kjo nuk ndodhi. Në këtë mjet, policia thotë se ka patur dy lloje ngarkesash.

Ndërkohë, po vijojnë hetimet punohet për zbulimin e personave të tjerë përgjegjës në trafikimin e kësaj lëndë narkotike. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Rapiscan është kompania që ka marrë me koncesion skanimin në dogana, shërbim që është kontestuar në vazhdimësi nga biznesi në vendin tonë për shkak të tarifave të larta të shërbimeve.

/portali DurresLajm/