*Qindra tonelata mbetje të depozituara në mënyrë të paligjshme, janë hedhur nga persona ende të paidentifikuar anash kanalit kryesor të ujërave në Durrës

*Banorët dyshojnë, por dyshimet hidhen edhe për faktin se nga kush janë depozituar mbetjet ranore buzë kanalit, e për çfarë arsye janë depozituar këtu

18 nëntor 2015 – Pikëpyetje të mëdha janë hedhur nga qytetarë e autoritete, mbi faktin se ku përfunduan tonelata të tëra me rërë të ndotur, që u hoq nga bregdeti i Durrësit me makinat e ushtrisë dhe të ndërmarrjes komunale të plazhit. Ku përfunduan mbetjet e plazhit të Durrësit, pas ndotjes masive me lëndë mazuti e hidrokarburesh të djegura? Pse ndërmarrja e Ujësjellësit në Durrës ngriti alarmin e dëmtimit të impiantit të trajtimit të ujërave, investim kolosal prej rreth 15 milionë eurosh?

Kanali kryesor përshkon për disa km të gjithë zonën e Kënetës deri në Porto-Romano. Banorët e ish-Kënetës tregojnë se më në periferi, makina të ndryshme aty hedhin me qindra tonelata mbetjesh të ndryshme anës kanalit kryesor. Përgjatë gjithë kanalit, me sy të lirë shihen gjurmë të qarta hidrokarburesh që qarkullojnë në ujërat e ndotur. Anës kanalit mbetjet janë ranore.

Nuk dihet nëse në këtë vend janë hedhur mbetjet e plazhit të Durrësit, por në vendgrumbullimin e plehrave në Porto-Romano nuk kishte gjurmë të hedhjes së këtyre mbetjeve. Dyshimet se këtu janë hedhur mbetjet e rrezikshme, janë të mëdha. Mbetjet ranore por edhe plehrat,  që kanë pushtuar për më shumë se 2 km kanalin kryesor, nuk dihet kush i ka depozituar në mënyrë të paligjshme. Nuk dihet sa kanë përfunduar brenda në kanal. Banorë të zonës thonë se makina të ndryshme depozitojnë aty këto mbetje, për faktin se është e pamonitoruar nga sytë e njerëzve në periferi të Durrësit.  Që mbetjet janë ranore, kjo dallohet me sy të qartë, nga guaskat detare, por se prej nga kanë ardhur e pse janë depozituar aty, askush nuk di të thotë. Për këtë çështje as autoritetet nuk flasin.     

Ka rreth 2 javë nga ndotja masive që u shkaktua në plazhin e Durrësit, që autoritetet ende nuk kanë gjetur autorët e këtij krimi mjedisor. Pavarësisht se hetimet nisën nga një grup i gjerë në përbërje të të cilit janë shumë struktura, shkaktarët mbeten enigmë për opinionin publik.

Specialistët e Ujësjellësit raportuan se mbetje të shumta nafte dhe vaji kanë depërtuar nëpërmjet rrjetit të vjetër të kanalizimeve dhe prej andej kanë shkuar në impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura. Nga të dhënat e para, mendohet se ndotja ka depërtuar nga rrjeti i vjetër i ujërave të zeza që funksionon në zonën e plazhit. Ky rrjet përbëhet nga tuba sekondare dhe terciare prej betoni me fuga të paizoluara mirë, të cilat duke punuar si drenazhe, krijojnë hinka nëntokësore duke thithur ujërat nëntokësore dhe në rastin konkret edhe naftën dhe vajrat që janë më të lehta se uji i detit.

Një ditë më parë, Departamenti i Mjedisit, Pyjeve dhe Turizmit në PD bëri publike disa fakte mbi ndotjen masive në bregdetin e Durrësit.

“Ndotja e rrezikshme në bregdetin e Durrësit e 10 ditëve më parë u hoq me makina ushtrie, por u hodh në Kanalin e Madh të Durrësit që ndot edhe ujërat e brendshme të qytetit dhe përfundon prapë në det! Por në Shqipëri nuk ka as polici, as prokurori, as roje bregdetare, as Inspektorat Mjedisi, as AKU, as Drejtori Shëndeti Publik, asnjë institucion nuk ekziston që të reagojë ndaj ndotjes me mbetje të rrezikshme të derdhur në kanalet kulluese të Durrësit dhe pranë banesave të qytetarëve”, është qëndrimi i opozitës. 

/K.H. portali DurresLajm/