18 nëntor 2015 – Parandalohet një ngjarje e rëndë mes dy adoleshentëve në Durrës. Një konflikt i nisur për motive banale mes dy djemve 16-vjeçarë në shkollën e mesme “Besnik Hidri” në Shënvlash, për pak do të përfundonte në tragjedi në rast të mosndërhyrjes së efektivëve të Durrësit.
Sipas burimeve nga policia, djali me iniciale Sh.M, 16 vjeç, ditën e djeshme është goditur nga bashkëmoshatari i tij E.Z. me qytë pistolete. Ngjarja është shënuar në afërsi të shkollës ku studiojnë nxënësit dhe gjithçka ka ndodhur thjesht pas një sherri banal mes tyre.
Në vendngjarje kanë mbërritur uniformat blu të cilët vunë në pranga 16-vjeçarin E.Z. dhe i sekuestruan pistoletën tip EKOL, kalibër 6.35 mm të cilën e mbante pa leje. Ai e kishte fshehur armën në mjetin e tij tip Fiat, të cilin e kishte pa targa.
Por, kjo nuk është hera e parë që emri i gjimnazistit E.Z. lakohet në polici. Më 24 mars të këtij viti, po në shkollën “Besnik Hidri”, ai në bashkëpunim më një nxënës tjetër kanë çarë gomat e tre mjeteve të mësuesve të tyre. Policia thotë se gjatë kësaj periudhe ai ka qenë në shërbim prove.
Ndërkohë, akuza që rëndon tashmë mbi të është ajo e “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje e armëve luftarake dhe të municionit”.
/S.L. portali DurresLajm/





