18 nëntor 2015 – Zbardhet e vërteta e kërcënimit të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ngjarje e ndodhur vetëm një ditë pas masakrës së Parisit. Personi që fshihet pas emrit “Brigada e Kuqe”, është Valter Meshi, 21 vjeç me origjinë nga Tropoja dhe njëkohësisht edhe koordinator i Partisë Demokratike për qytetin e Tiranës.

21-vjeçari, student pranë fakultetit të “Shkenca Humane” në kryeqytet, dërgoi një e-mail në adresën personale të ministrit të shtunën e 14 nëntorit ku shkruante:

“Tani e keni radhën ju. Filloi lufta e shenjtë ndaj atyre që janë përfshirë në luftën kundra Shtetit Islamik. Do dridheni, do gjunjëzoheni para Allahut!”

I riu nga Tropoja kishte mashtruar shokun e ngushtë, Klodian Mahmutaj, duke i thënë se, “i duhej adresa e tij e Facebook-ut, pasi do të bënte disa komente nga Seanca Parlamentare që ishte zhvilluar ditën e enjte”. Më pas, Klodiani tregon për gazetën “Shekulli” të gjitha peripecitë pas këtij e-mal-i kërcënues dhe kohëzgjatjen e qëndrimit të tij në polici. “E gjithë historia ndodhi, thotë Mahmutaj, kur i dhashë adresën e facebook-ut një mikut tim. Unë i besova atij, sepse e konsideroja shok të vërtetë dhe nuk mund ta imagjinoja se Valteri do të bënte këto gjëra të rrezikshme me të dhënat e mia”, theksoi i riu.

Rrëfimi në polici i Klodian Mahmutajt

“Unë nuk merrem me këto budallallëqe. Atë natë, kur ndodhi ajo ngjarje, unë isha në Laprakë dhe po pija kafe me një shok. Më pas më merr motra në telefon dhe më thotë se ka ardhur policia në banesë. Unë e mora për shaka, sepse kam problem me shikimin dhe mendova se mos ndoshta motra po më bënte ndonjë lojë.

Ia shpjegova të gjithë historinë shefit të komisariati nr.6, duke i thënë se, ia dhashë password-in e Facebook-ut tim Valter Meshit, i cili punon si koordinator i Partisë Demokratike për Tiranën. Kjo nuk ka qenë hera e parë që Valteri më kërkonte të dhënat e mia personale të kësaj adrese, sepse ai e përdorte më shpesh se unë Facebook-un tim. Më pas, një nga specialistët e IT-së më pyeti se, “përse e ke ndryshuar emrin tënd të Facebook-ut?” Në ato momente pashë që emri im në “Facebook” nga Klodi Mahmutaj ishte bërë “Brigada e Kuqe”. Menjëherë më shkoi mendja te Valteri, sepse vetëm ai e dinte adresën time të Facebook-ut.

E mora në telefon, brenda në komisariat dhe nuk doja që të më dallonte se isha shoqëruar në polici. Për ta provokuar i them: Ku je mo shoku?! Valteri më thotë:- Tani sa erdha në Tiranë, sepse isha me Lulzim Bashën në Vlorë”. Mirë – i thashë- po shoh te “Facebook”-u im që ke ndryshuar emrin. A mund ta di, përse?” Valteri më thotë që e kam bërë unë. -Po pse e bëre këtë gjë – e pyeta? Ai më tha:- Kot për të krijuar panik dhe frikë, sikur jemi pjesë e ISIS-it.

Më iku truri dhe më pas e ofendova. Të jem i sinqertë, nuk e imagjinoja që një njeri të cilin e konsideron si shok dhe mik, mund të krijojë këto probleme me policinë, por edhe me familjen, të cilët u tmerruan kur panë aq shumë trupa policore atë natë në shtëpi dhe jashtë saj.

/portali DurresLajm/