17 nëntor 2015 – Masa antiterror në të gjitha bankat në Shqipëri. Me një udhëzim të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, të gjithë bankat në Shqipëri kanë forcuar masat e sigurisë. Kontrolli i çantave të femrave, moslejimi i futjes brenda të shisheve, qoftë dhe ato të ujit si dhe ndalimi i telefonatave janë disa nga masat e marra nga kompanitë private që ruajnë bankat. Dihet që në Shqipëri këto institucione janë një vend tepër i frekuentuar nga populli dhe në kuadër të masave antiterror, vëmendje e veçantë i është kushtuar kësaj pjese.
Në vëzhgimin e Gazetës Shqiptare, bërë në disa degë bankash, rojet private kanë tolerancë zero dhe nuk lejojnë askënd të flasë në telefon dhe të marrë me vete shishen e ujit.
“Mund të jetë dhe molotov, ka ndodhur apo jo”, na thotë një prej rojeve private.
/portali DurresLajm/





