15nëntor 2015 – Jeta e Matilda Makoçit, gruas së parë të kryeministri Edi Rama, njëkohësisht nëna e djalit të tij të madh, ka mbetur mister. Jo vetëm për fansat e saj të roleve kryesore në shumë filma të para ’90, por dhe për vetë regjisorët e asaj kohe. Një prej tyre është dhe Muharrem Fejzo, i cili tregon se Matilda u zhduk papritur kur i ishte caktuar roli te “Muri i gjallë”.
“Kujtoj ditën kur Gjergji Xhuvani erdhi me një frymë në sheshin e xhirimit. Matilda nuk gjendet! Ku nuk e kërkuam. – Ishte një rrymë e akullt që rrëmbeu gjithë grupin. Xhirimet u ndërprenë. Duheshin ribërë gjithë ato skena me një aktore tjetër. Nuk ishte e lehtë. Ishte një goditje në brinjë të filmit. Një ditë të diel, në shëtitoren e gjerë të qendrës së qytetit takoj Matildën. Dukej tepër e brengosur. Erdhi e ndrojtur me një fytyrë të vrarë nga pagjumësia dhe me fjalët që i mbeteshin në grykë: Të më falni, më falni shumë. Nuk arrita dot t’ju njoftoj…e ndërpreu fjalën e frikësuar, se në drejtim të saj po vinte djali i Kristaqit, shokut tim të liceut. Me ngut dhe lot në sy foli e përshpejtuar: Do të nisem për Greqi. Kam një hall të madh…të më kuptoni…dhe duke i tërhequr zvarrë fjalët e fundit, me lot në sy, u zhduk e përcjellë nga Edi, i cili në ecje e sipër vazhdonte të na hidhte disa vështrime të ftohta. Kushedi ç’fjalë të tjera gatuheshin në shpirtin e saj. Që nga ajo kohë, më humbi nga sytë deri sot e kësaj dite. Punë e tyre.”, shkruan regjisori në librin e tij “Të pathënat”, pjesë të të cilit po botohen nga Panorama.
Matilda Makoçi njihet në kohën e monizmit si një vajzat më të bukura të Tiranës dhe më pas një prej aktoreve të famshme të asaj kohe. Por, pas viteve ’90 ajo është shkëputur totalisht nga jeta artisike dhe publike, ndërsa pamja e saj nuk të lidh thuajse aspak me kohën e madhështisë.
/portali DurresLajm/