14 nëntor 2015 – Fjalët “masakër”, “horror”, “luftë” janë ndër titujt kryesorë të gazetave ndërkombëtare dhe franceze të cilat kanë hapur faqet e para këtë të shtunë. Ato vazhdojnë të shkruajnë për rritje të bilancit të viktimave që ndodhi në sulmet kamikaze në zemër të Europës, në Paris. Sipas "CNN"-it deri më tani janë 153 viktima dhe mbi 200 të plagosur. Ndërkohë 8 prej kamikazëve raportohen të vdekur, 7 prej të cilëve kryen vetëvrasje, ndërsa një u ekzekutua nga policia.

Sulmet terroriste u shënuan brenda një harku kohor shumë të shkurtër, pas të parit që u regjistrua në restorantin korean “Petit Cambodge” në zonën e Bastijës, pak pas orës 21:00.

Dhjetëra të shtëna u dëgjuan më pas në një kafene në “Rue de Charonne”. Pak minuta më pas, të shtëna të tjera u regjistruan pranë sallës së koncerteve “Bataklan” në bulevardin “Volter” pranë “Sheshit të Republikës”, vetëm pak metra larg restorantit. Njësitë e antiterrorit dhe forca ushtarake mësynë zonën, ndërsa raporte ende të pakonfirmuara zyrtarisht flasin se autori i shpërthimit pranë stadiumit ishte një atentator vetëvrasës.

Në të gjithë Francën ndërkohë ka hyrë në fuqi “Plani i Kuq Alfa”, masa e alarmit që përdoret në rast të një sulmi të shumëfishtë. Presidenti Holond ka shpallur gjendjen e emergjencës kombëtare në të gjithë vendin, dhe ka urdhëruar mbylljen e të gjitha kufijve.

/portali DurresLajm/