11 nëntor 2015 – 41 persona janë arrestuar në Itali gjatë ditës së martë, pasi është zbuluar një rrjet kriminal që u merrte personave të trafikuar mijëra euro për të hyrë në mënyrë të paligjshme në vend, ku do të punonin si punonjës cirku.
Policia ka bërë të ditur se grupi përdorte një klauzolë në ligjin për emigracionin, që lejonte performuesit, kërcimtarët dhe punonjësit e cirkut të merreshin në punë edhe nga jashtë, gjithnjë nëse ata pajiseshin me lejen speciale të qëndrimit nga autoritetet lokale.
Një çift të martuarish, zyrtarë të administratës lokale në ishullin jugor të Sicilisë, siguronin leje false për persona të ardhur kryesisht nga India, Bangladeshi dhe Pakistani, bëri të ditur policia.
Të paktën 500 persona kanë paguar kundrejt këtij grupi kriminal, në një biznes që mund të ketë siguruar rreth 7 milionë euro. Shumica e emigrantëve, pavarësisht se kishin siguruar hyrjen në Itali, nuk kanë punuar kurrë nëpër cirqe.
/portali DurresLajm/