9 nëntor 2015 – Situata në bregdetin e Durrësit është alarmante dhe shifrat e ndotjes janë shumë të larta. Ky është rezultati i publikuar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit për ndotjen masive në bregdetin e Durrësit, e cila jep alarmin pas kryerjes së analizave. Në kushte të tilla, drejtori i përgjithshëm i AKM-së Julian Beqiri, u ka bërë apel qytetarëve që të mos kenë asnjë kontakt me ujin në zonat e prekura nga ndotja, pasi përbën rrezik për shëndetin.

“Nga vlerat gjykojmë se ndotja me hidrokarbure është shumë e lartë, çka për shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin, gjendja është alarmante. Për këtë arsye ndalohet kategorikisht kontakti me ujin apo larja në det e qytetarëve, deri në momentin e rehabilitimit të plotë mjedisor të zonës së prekur në plazhin e Durrësit në një gjatësi prej rreth 2.5 km”, theksoi Beqiri.

Analizat e kryera pranë Laboratorit të AKM-së vlerësojnë se mostrat e marra në 2 pika të ndryshme në vijën e ndotur bregdetare Durrës, rezultuan shumë të ndotura.

“Produktet e naftës të cilat rezultojnë prezente në mostra, janë tej normave të lejuara, duke konsideruar faktin se në ujërat banjatore nuk duhet të ketë prezencë të produkteve të naftës. Nevoja kimike për oksigjen dhe nevoja biokimike për oksigjen rezultojnë në vlera shumë të larta, të cilat reflektojnë një ndotje shumë të lartë, të pasqyruara në 2 tabelat si më poshtë”, thuhet në njoftimin e AKM-së për rezultatet e analizave.

AKM njofton se do të kryejë analiza të përsëritura dhe do të njoftojë qytetarët në kohë, kur zona të konsiderohet jo e rrezikshme.

“Deri në këtë njoftim, ritheksojmë se qytetarët duhet të tregojnë kujdes për shëndetin e tyre dhe të evitojnë çdo kontakt të mundshëm me zonën e prekur nga ndotja.”

/S.L. portali DurresLajm/