9 nëntor 2015 – Dy të rinj nga Tirana, një vajzë dhe një djalë, janë arrestuar nga policia, pasi kanë shfrytëzuar për prostitucion një vajzë të mitur nga Durrësi.
Abiela Tafa, 21 vjeçe, banuese në Tiranë dhe Dritan Mici, 25 vjeç, banues në Kamëz, u arrestuan pas operacionit të koduar “Studenti” nga specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës, pas një hetimi 1-mujor nga ana e tyre.
Burime nga policia bëjnë me dije se dy të rinjtë nga Tirana kanë prostituuar 15-vjeçaren I.D. nga Durrësi për një periudhë 1-mujore. E mitura shkonte me klientë në hotele të ndryshme në qytetin e Tiranës dhe të Durrësit për të kryer marrëdhënie seksuale. Kundrejt këtyre 'shërbimeve', blutë e Durrësit thonë se pagesa ishte 10.000 lekë të rinj ose 50 Euro.
Ngjarjen e rëndë, e ka denoncuar vetë e mitura në polici, e cila ka ngritur kallëzim penal ndaj dy tutorëve nga Tirana.
Ndërkohë, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë edhe ndaj një 38-vjeçari nga Prishtina. Shtetasi B.K. ka biseduar me Abiela Tafën që të kryente marrëdhënie seksuale me të miturën kundrejt pagës prej 50 Eurosh.
Materialet e kësaj çështjeje i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprat penale “Prostitucioni” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”.
/S.L. portali DurresLajm/





