6nentor 2015 – Në konferencën e përbashkët për shtyp, Saimir Tahiri përsëriti teorinë se shqiptarët që kërkojnë azil në Gjermani, kanë qenë emigrantë në Greqi, gjatë konferencës me Ministrin e Brendshëm të Gjermanisë.

“Daljet nga kufiri i Shqipërisë kanë qenë 0.5% më të larta se në vitin e kaluar, ndaj shifrat provojnë se ata që nisen në kërkim të azilit në Gjermani, kanë qenë rezidentë në vendin fqinj” deklaroi Tahiri.

Por homologu i tij gjerman, Tomas de Mazier tha se në takim, Saimir Tahiri e kishte pyetur pikërisht për këtë fakt. Kur gazetarët e pyetën, nëse ai kishte dijeni për vendin nga niseshin azilkërkuesit shiptarë, de Mazier tha:

“Të njëjtën pyetje më bëri edhe kolegu im gjatë bisedës. Eshtë një pyetje që unë nuk mund t’i jap përgjigje, sepse njerëzit vijnë atje dhe paraqesin pasaportat shqiptare, ndërkohë që ne nuk mund të dimë të shkuarën e tyre. Nëse do të paraqisnin pasaporta greke do të mund të rrinin në Gjermani. Më vjen keq por këtë lloj statistikash unë nuk e kam, sepse ata edhe mund të gënjejnë."

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë foli për azilkërkues që vijnë nga Shqipëria. Sipas tij, prurjet që vijnë nga Shqipëria kanë qenë të mëdha, madje ministri e quajti situatën të papranueshme.

“Diskutuam për azilantët që vijnë nga Shqipëria me pasaportë shqiptare. Ky është një shqetësim i madh, nuk ka arsye që të vijnë nga Shqiperia, situata është e papranueshme. Shqipëria është një vend i origjinës së sigurtë dhe demokratik. Nuk ka arsye te pretendohet për azil.” tha De Mazier. /lapsi/