*Dritan Zagani, ish-shefi i Antitrafiqeve flet sërish nga arratia

5nentor 2015 – Ish-shefi i antidrogës në Fier, Dritan Zagani rikthehet në vëmendjen e publikut me një intervistë të realizuar nga gazetari Basin Çollaku, e cila u publikua mbrëmjen e sotme në emisionin” Opinion”. Ish-zyrtari i policisë, (aktualisht në arrati pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar nga shteti shqiptar), flet për lidhjet e politikës me trafikantët e drogës, dekonspirimin e aksioneve, për kushërinjtë e Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri të përshirë në narkotrafik, avionët me drogë, etj. Zagani thekson se ja ka bërë të qartë edhe vetë ministrit Tahiri se nuk është larguar nga frika, por për sigurinë e fëmijëve të tij. Ai thekson se do të përballet në Gjykatë me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

“Unë kam ikur sa të sistemoj fëmijët e mi, në një vend që për momentin nuk mund ta deklaroj për garancinë e jetës së fëmijëve të mi, të cilët janë minorenë. Nuk kam ikur se kam frikë për veten. Kjo është arsyeja e vetme dhe në momentin e parë që unë të kemi siguruar garancinë e fëmijëve të mi të mitur në vendin në të cilin ndodhem aktualisht, do të kërkoj nëpërmjet avokatit tim dhe paraqitjen në seancat gjyqësore nëse është e mundur”, tha Zagani.

Ish-shefi i antitrafiqeve foli për një biznesmen që sipas tij vetëm në banesë ka pasur rreth 20 kg kokainë dhe tre milionë euro. Sipas ish-specialistit të antidrogës, biznesmeni ka pasur lidhje të forta me politikanë dhe deputetë, ndërsa ka investuar më mënyrë jo të drejtpërdrejtë në koncesione dhe hidrocentrale.

/portali DurresLajm/