4 nëntor 2015 – Të dhëna të reja kanë dalë pas ndalimit të punonjësit të gjendjes civile në Manëz. 45-vjeçari Gazmir Luku, është edhe kreu i PD-së së Manzës (Manza dhe Ishmi janë dy njësitë e vetme vendore në Durrës, në të cilat fitoi PD në zgjedhjet e 21 qershorit), prind i tre fëmijëve të mitur. I kanë kërkuar para 15 ditësh dorëheqjen nga puna, por nuk e ka pranuar. Sipas familjarëve, ndalimi i tij pa kushte flagrance dhe pa urdhër prokurori, është konsideruar politik nga ana e tyre.

Të afërmit kanë sqaruar se bëhet fjalë për një shtetas amerikan, ai i cili ka kërkuar të pajisej me pasaportë shqiptare.

“Janë dy ose tre shkronja të emrit, që ka ndërruar pas kërkesës së shtetasit shqiptaro- amerikan. Me sa jemi në dijeni, ky shtetas është i regjistruar dhe me pasaportë amerikane, por në gjendjen civile në Shqipëri kishte ndryshim të tre germave. Nuk ka ndryshuar ID, asnjë gjë”, pohojnë familjarët e Lukut.

Pak ditë më parë, në portalin “DurrësLajm”, i njëjti shqetësim u ngrit nga Jorgo Ilia, i cili tha se i është ngujuar djali në Itali, për shkak se gjendja civile i ka regjistruar mbiemrin gabim, dhe nuk ka asnjë mundësi që djali i tij të pajisej me pasaportë biometrike. E ç’është akoma më e rëndë është fakti se pas zgjedhjeve të 21 qershorit, gjykata me vendim të prerë nuk pranon akt-padi për ndryshim emri apo mbiemri, pavarësisht se gabimi bëhet në gjendjen civile.

/K.H. portali DurresLajm/