4 nëntor 2015 – Një familje nga Kosova, e përbërë nga burri, gruaja dhe dy vajzat 12 dhe 14 vjeçe dukeshin një familje klasike emigrantësh, deri në momentin që policia zbuloi se në makinën me të cilën ata po udhëtonin, fshihej drogë.

55-vjeçari kosovar me pasaportë britanike, u ndalua sapo zbarkoi në Portin e Barit nga një traget që vinte nga Shqipëria. Shkak për ndalimin e tyre nga policia u bë një dyshim i oficerëve, pasi panë që nga mjeti kishte rrjedhje karburanti që nuk ishte normale. Pas një inspektimi më të hollësishëm, ata panë se dyshemeja e mjetit ishte e modifikuar dhe brenda saj gjendeshin 251 pako marijuanë, me afro 134 kg lëndë narkotike.

55-vjeçari i lindur në Kosovë, emri i të cilit nuk bëhet ende i ditur, mendohet se do ta trafikonte drogën në Mbretërinë e Bashkuar. Ai u arrestua në flagrancë nga Guardia di Finanza e Barit dhe tanimë do të përballet me akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

/S.L. portali DurresLajm/