3 nëntor 2015 – Zbardhet identiteti i 19-vjeçarit shqiptar që mbeti viktimë në atentatin e mëngjesit të djeshëm (2 nëntor) për të djegur një pikë bastesh në sheshin Calvi në Liguria të Italisë dhe dy bashkëpunëtorëve të tij. Ai është Albert Jakupaj, i cili jetonte në mënyrë të jashtëligjshme prej kohësh në vendin fqinj, së bashku me bashkëkombasin Aramit Ismajlukaj, 29 vjeç. Ky i fundit mbeti i plagosur rëndë nga shpërthimi i bombës molotov. Shqiptari i tretë që ishte pjesë e këtij sulmi, është Mretjev Ismajlukaj, 19 vjeç, kushëriri i Aramitit.
Në foto: Albert Jakupaj, (majtas lart), Mretjev Ismajluka, (majtas poshtë), Aramit Ismajlukaj, (djathtas poshtë)
Sipas autoriteteve italiane, Aramit dhe Mretjev Ismajlukaj janë të njohur për policinë italiane, pasi kanë pasur precedentë të mëparshëm penalë.
Nuk është ende e qartë arsyeja e atentatit të të rinjve shqiptarë, megjithatë dyshohet se ata ishin pjesë e mafias Ndrangheta. Ekzistojnë dhe pista të tjera ku po mbështeten hetimet, ajo e hakmarrjes për ndonjë borxh të pashlyer apo dëshira për të nxjerrë jashtë loje një “konkurrent” të pakëndshëm.
/S.L. portali DurresLajm/