*Gjyqtarja Shpëtime Pitaku akuzohet për fshehje të pasurive, deklarime të rreme të interesave private, falsifikime dokumentesh, mungesë burimesh të ligjshme financiare dhe dyshime për pastrim parash
2 nëntor 2015 – Gjyqtarja e Gjykatës së Durrësit, Shpëtime Pitaku është paditur nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave në Prokurorinë e Përgjithshme, pasi akuzohet ndër të tjera për fshehje të pasurisë dhe pastrim parash që shkojnë deri në 1 milion dollarë.
“Në përfundim të kontrollit të plotë rezultuan fshehje të pasurive, deklarime të rreme të interesave private, falsifikime dokumentesh, mungesë burimesh të ligjshme financiare dhe dyshime për pastrim parash në shumën rreth 1 milion dollarë dhe për rrjedhojë subjekti Shpëtime Pitaku është kallëzuar penalisht për veprat penale të parashikuara nga nenet 257/a/2 dhe 287 të Kodit Penal”, njofton ILDKPKI.
Pas kontrollit, ILDKPKI i kërkon organit të Prokurorisë një hetim të plotë e të gjithanshëm për subjektin deklarues Shpëtime Pitaku, pasi është kallëzuar edhe më parë nga ILDKPKI për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve zyrtare.
“ILDKPKI do të njoftojë menjëherë Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe ministrin e Drejtësisë me qëllim marrjen e masave disiplinore ndaj subjektit Shpëtime Pitaku”, sqaron ILDKP.
Shpëtime Pitaku ishte kryesuesja e trupit gjykues në dosjen e “Rrashbullit”, e cila pavarësisht kërkesës së Prokurorisë për ta dënuar me 5 vite burg, e shpalli të pafajshëm kreun e komunës, Hysen Gashi, i akuzuar për dhënien e të paktën 16 lejeve të ndërtimit në kundërshtim të plotë me ligjin në zonën e “Shkëmbit të Kavajës”.
/S.L. portali DurresLajm/





