1nëntor 2015 – Kryebashkiaku i Tiranës vendos që të prishë restorantin e Xhoana Nanos, gruas së ish-kryeministrit Fatos Nano. Mësohet se Bashkia ka vendosur të zgjidhë kontratën mes Ministrisë së Financave dhe restorantit “Pulëbardha”, në krah të hyrjes së stadiumit “Selman Stërmasi”. Sipas argumentit të bashkisë, objekti ka pasur një kontratë 20-vjeçare për përdorimin si restorant për udhëtarët, ndërkohë që nuk shfrytëzohet për këtë qëllim.

Vendimi është marrë nga Bashkia më datë 23 tetor dhe i është drejtuar Xhoana Nanos dhe për dijeni dhe administratorit të klubit Tirana, Refik Halili.

Në vendim argumentohet se “për shkak të mospërdorimit të objektit me qëllimin e nënshkruar në kontratë, Bashkisë e cila ka në pronësi stadiumin, i lind e drejta e prishjes së kësaj kontrate”. Më herët Veliaj ka deklaruar se ky restorant është i vetmi që i ka shpëtuar aksionit kundër ndërtimeve pa leje, shkruan Shekulli.

“Fillimisht restorant “Pulëbardhës” tek ish-stadiumi Dinamo, (Selman Stermasi), që është sot pronë e FK Tirana, pra edhe e Bashkisë, i është kërkuar të heqë të gjithë barrierat në rrugë, i është verifikuar dokumentacioni, i është kërkuar që edhe për çështje të sigurisë, bombolat e gazit që janë ngjitur tek dhomat e zhveshjes së lojtarëve duhet të hiqen dhe sigurisht pasi është verifikuar dokumentacioni, ai është një ndërtim pa leje.

E përsëris, restorant “Pulëbardha” tek stadiumi Dinamo është një ndërtim pa leje. Nuk më intereson fare kush ha drekë, kush ish-kryeministër apo politikan drekon aty, më intereson fakti që një çiban në trup të stadiumit dhe kuzhinë bombola gazi aty ku zhvishen lojtarët nuk mund të ketë”, është shprehur Veliaj në një intervistë për “Top Story”.

/portali DurresLajm/