31 tetor 2015 – Policia e Tepelenës sekuestroi 140 kilogramë kanabis sativa, të vendosur në 24 thesë në banesat e dy vëllezërve. Ndërsa u arrestua njëri prej tyre si posedues i lëndës narkotike, tre të tjerë u shpallën në kërkim.
Droga u zbulua gjatë kontrollit që iu bë familjes së vëllezërve Sela në lagjen me të njëjtin emër në fshatin Luftinjë, ku njëri prej tyre, Agim Sela, 58 vjeç u arrestua në flagrancë, ndërsa u shpall në kërkim vëllai tjetër, Myslym Sela, 56 vjeç me dy djemtë e tij, Gentian dhe Xhevit Sela, 26 dhe 24 vjeç.
Policia bën të ditur se gjatë operacionit të koduar “Luftinja” u sekuestruan edhe 1 kallashnikov me 30 fishekë.
Ndërkaq, po vijon puna për kapjen e tre personave të tjerë të cilët nuk u gjetën në banesë gjatë zbulimit të lëndës narkotike.
/S.L. portali DurresLajm/