29tetor 2015 – Këngëtari Sherif Merdani ka reaguar për intervistat dhe deklaratat e këngëtares veterane, Alida Hisku. Kjo e fundit ka deklaruar në një intervistë për “Panoramën” se këngëtaret që kishin probleme me regjimin komunist, përdhunoheshin apo abuzoheshin në burg nga prokurorë dhe punonjës të Sigurimit të atëhershëm të Shtetit. Mirëpo, Sherif Merdani, i burgosur vetë në kohën e diktaturës, pas festivalit të 11 ka hedhur poshtë pretendimet e Hiskut, duke thënë se askush nuk përdhunonte në atë kohë, por këngëtaret shkonin vetë me punonjësit e Sirgurimit.

“Për mua që e kam jetuar realisht këtë ferr, bindem se pohimet e këngëtares Alida Hisku s’janë asfare të vërteta. Askush nuk e ka përdhunuar Alida Hiskun. E vetmja mënyrë që ata të kishin lidhje të tillë do mund të ishte nëse objekti (femra) i tyre do ishte e lirë dhe ata e përdornin për spiune”, thotë ai në një prononcim për “JavaNews”.

“Në raste të tjera ishte krejtësisht e pamundur. Ato ruheshin dhe sipas kodit të brendshëm jepnin shpesh llogari. Këto janë shtojca dhe ekzagjerime për të shitur librin që më thonë se ka shkruar, dhe e ka botuar në Gjermani. Mund të pyesni dhe kolegët e mi të nderuar që kanë bërë burgun komunist si avokati Spartak Ngjela dhe publicisti Fatos Lubonja, që një gjë e tillë ishte krejt e pamundur. Me pak fjalë, e besoj plotësisht po ta kenë rrahur, dhe nëse e kanë lënë pa ngrenë, por një njeri si unë që ka qëndruar me vite në atë ferr dhe i njeh çdo qelizë nuk e beson se ka pasur përdhunime të shpeshta”, e përfundon Merdani. (Panorama)